
Ku gjendet avioni amerikan që ra në Belsh!
Dritare.net
Me 8 nëntor 1943 në Çestije të Belshit, në Elbasan, bie një avion amerikan transporti Dakota C-53. Avioni ishte nisur nga Katania e Siçilisë në drejtim të Barit të Italisë. Transportonte mjekë dhe infermiere amerikane. Por për shkak të një stuhie qe solli ndërprerjen e ndërlidhjes me bazën dhe pas 5 orë fluturimi mes reve, u bë një ulje e detyruar. Kishin rënë në Shqipërinë e pushtuar nga gjermanët. Por nuk e dinin. Ishte ora 13.30. Banorët e fshatit Çestije dhe një grup partizanësh, erdhën menjëherë, e dogjën avionin dhe i morën pasagjerët dhe ekuipazhin me vete.
“Avioni kishte në bord 30 vetë, prej tyre 13 infermiere të skuadrës së evakuimit ajror, (të gjitha togere) 13 sanitarë (burra) dhe ekuipazhi prej 4 vetash. Patëm fat që nuk u dëmtuan në rënie. Kishim rënë në një zonë të kontrolluar nga partizanët. Këta, bashkë me banorët e Çestijes, na morën me vete, na fshehën dhe na mbajtën në shtëpitë e tyre. Kur erdhën nazistët gjetën avionin e djegur. Për 62 ditë 29 kolegët e mi dhe unë u shmangeshim menjëherë patrullave armike, ndërsa endeshim në këmbë në malin e ashpër, zvarriteshim në shi, në llohë bore ose nën diellin e shndritshëm, gjithmonë në kërkim të ushqimit dhe të banesës. Ne vazhdimisht ishim përballë fatkeqësisë së dizenterisë, plagëve të mbushura me qelb, hepatitit dhe trupit me morra”, kujton në ditarin e saj, togerja Agnes Jensen, e cila do të shkruante për këtë ngjarje pas 49 vjetësh, më 1992-shin.
Në dokumentarin “Në besë të shqiptarëve“, për avionin e djegur rrëfehet edhe nga Xhevit Elezi, banor në Çestije të Belshit, aty ku ra për herë të parë ekuipazhi me 30 vetë. Asokohe Xheviti i cili u nda nga jeta një vit më parë, kishte qenë fëmijë, dhe kishte dalë për te kullotur bagëtitë e tij. Ai ka qenë një nga dëshmitarët e parë në këtë ngjarje.
“Unë isha në një bregore atje me dhentë. E dëgjova zhurmën e madhe. U thashë atyre shokëve: “Hajde vemë”. “Jo më thanë, janë gjermanët, na vrasin”. Unë këmbëngula: “Hajde vemë”. Aeroplanit dy rrotat e para i ishin futur në baltë nga pesha e madhe që kishte. I vunë shkrepësen tek dera, i hodhën benzinë. Dëgjohej zhurma që bëri bam bam bam”.
Ai që mori vendimin për t’ia vënë zjarrin avionit ishte, Hasan Gina, partizani që u takua i pari dhe iu thirri: “Amerikano, o amerikano”. Ata iu përgjigjën: “Ku jemi? Mos na vrisni”. Për të shpëtuar amerikanët, Hasan Gina mori vendimin për t’i zhvendosur nga vendi ku kishin rënë, duke i strehuar fillimisht në familjen Zena, në fshatin Merhoj, ku më pas për 62 ditë do të bënin mijëra kilometra në këmbë, në 34 fshatra të vendit. Gina mori vendimin të djegur avionin, në mënyrë që gjermanët mos të binin në gjurmë të 30 amerikanëve, dhe të kundërpërgjigjeshin me djegie fshatrash dhe bastisje shtëpish. Në ditarin e tij, zbuluar për herë të parë nga Dritare TV, Gina rrëfen:
“Gjatë zbritjes së aeroplanit, unë pashë me dylbitë e mia se aeroplani nuk ishte armik sepse ishte me yll të bardhë dhe mora iniciativën me guxim dhe u thashë shokëve: “Mos qëlloni, është aeroplan amerikan. Pashë se nga ekuipazhi nuk kishte zbritur njeri por rrinin brenda dhe shikonin nga dritarja se ç’po bënim ne. Unë në këto momente zbrita nga kali në tokë dhe ua bëra me shenjë: “Ejani këtu në buzë të gjolit”.
Mbasi dolën nga aeroplani dhe u takuam përzemërsisht me mua ndenja pak sa u çmontua radioja transmetuese. Kur u boshatis mirë vendosëm ta djegim, të mos e diktonin gjermanët dhe të kuptonin mos ishte bërë ndonjë zbarkim dhe si pasojë do të vinin, do të digjnin e vrisnin popullin e fshatrave përreth. Së bashku me dy oficerët aviatore, i vumë zjarrin aeroplanit dhe pamë se u dogj mirë e mirë”.
Në gjurmë të copave të mbetura në liqenin e Çestijes, fillimisht ra Agnes Jensen, kur rikthehet për herë të parë pas lufte, së bashku me gazetarin shqiptaro-amerikan Peter Lukas. Kishin mbetur shumë pak, krahu i avionit dhe karrigia ku ulej piloti.
Këto copa të avionit tani janë vendosur në Bunkart1, në kryeqytet. Gjurmët origjinale të ngjyrave, kodeve dhe të logos së pranishme në mbetjet e avionit u dalluan falë përdorimit të mikroskopit elektronik nga profesoreshë Edlira Çaushi e Departamentit të Arkeologjisë dhe Pasurisë Kulturore tek Universitetin e Tiranës, departamenti i Historisë dhe Filologjisë.
Po ashtu brenda kësaj dhome në Bunkart, rrëfehet historia e Kostaq Stefës, pasqyrohen librat e shkruar e shkruar nga amerikanët, si dhe misioni i popullit shqiptar për të shpëtuar gjatë të 30 infermierët amerikanë.
Dokumentarin në Besë të Shqiptarëve mund ta gjeni në youtube Dritare TV./M.K-dritare.net

















