Ekspertët zbulojnë pickimet më të dhimbshme në botë
Dritare.net
Kandidatët kryesorë për pickimet më të dhimbshme në botë variojnë nga milingonat “plumb”, te grerëzat luftëtare dhe deri te kandilët e vegjël të detit. Për të zbuluar se cili është më i dhimbshmi, disa ekspertë aventurierë kanë kaluar vite të tëra duke u pickuar qëllimisht nga kafshë të ndryshme.
A do të preferonit të goditeshit nga boksieri Mike Tyson apo të ndjenit një çekiç pneumatik mbi veshkat tuaja? Kjo është ndjesia që përshkruhet nga disa prej pickimeve më të dhimbshme në botë. Kur bëhet fjalë për të përcaktuar se cili është më i keqi, gjithçka varet nga përvoja personale. Kafshët që pickojnë, nga insektet e zakonshme të oborrit deri te krijesat e çuditshme detare, përdorin një përzierje kimike mbrojtëse që përfshin neurotoksina dhe substanca inflamatore për t’u mbrojtur ose për të paralizuar prenë. Ndërsa kafshët që kafshojnë, si gjarpërinjtë dhe merimangat, përdorin dhëmbët për të injektuar helm, tek insektet që pickojnë është pjesa e pasme ajo nga e cila duhet të ruheni.
Një nga figurat më të njohura në studimin e pickimeve është Justin Schmidt, një entomolog nga Arizona, i cili krijoi një indeks të dhimbjes së pickimeve duke u pickuar qëllimisht nga të paktën 96 specie insektesh, përfshirë bletë, grerëza dhe milingona. Ai i ndau pickimet në katër nivele dhimbjeje dhe i përshkroi ato me detaje, pothuajse poetike. Në nivelin e parë hynin pickimet më të lehta, si ai i një blete që, sipas tij, ishte “pothuajse si kur dikush të kafshon lehtë llapën e veshit”. Niveli i dytë përfshinte pickime më të forta, si ai i një grerëze që përshkruhej si një ndjesi djegëse, sikur një pambuk i zhytur në salcë djegëse të shtyhej brenda hundës. Në nivelin e tretë fillonte tortura e vërtetë, me dhimbje shpërthyese dhe të zgjatura, të krahasuara me vaj të nxehtë që derdhet mbi dorë.

Vetëm tre specie arritën nivelin e katërt, më të dhimbshmin. E para ishte milingona “plumb”, një insekt nga pyjet tropikale të Amerikës Qendrore dhe Jugore, e quajtur kështu sepse dhimbja e pickimit mund të zgjasë deri në 24 orë. Schmidt e përshkroi atë si një dhimbje të pastër dhe intensive, sikur të ecësh mbi qymyr me një gozhdë të futur në thembër. Më pas vjen grerëza “Tarantula Hawk”, e cila gjuan merimangat dhe shkakton një dhimbje verbuese dhe elektrike, edhe pse zakonisht zgjat vetëm disa minuta. E treta është grerëza luftëtare, pickimi i së cilës përshkruhet si torturë e vërtetë, sikur të jesh i lidhur në një vullkan aktiv.
Pas vdekjes së Schmidt në vitin 2023, pasuesi i tij u bë Coyote Peterson, një personalitet i YouTube që është bërë i njohur duke u pickuar nga specie të ndryshme për edukim dhe argëtim. Duke udhëtuar nëpër botë dhe duke përjetuar pickimet e rreth 30 specieve, ai shtoi dy kandidatë të rinj për nivelin më të lartë të dhimbjes: grerëzën gjigante japoneze dhe grerëzën e quajtur “Executioner”. Sipas Peterson, pickimi i grerëzës japoneze ishte si të goditeshe në fytyrë nga Mike Tyson, ndërsa grerëza “Executioner” ishte më e dhimbshmja që ai kishte përjetuar ndonjëherë. Dhimbja zgjati rreth 12 orë dhe helmi i saj shkaktoi dëmtime në lëkurë, duke lënë edhe një shenjë të përhershme.

Megjithatë, insektet nuk janë të vetmet që shkaktojnë pickime të tmerrshme. Kandilët e detit përdorin qeliza të vogla në formë harpunash për të injektuar helm. Një nga më të frikshmit është kandili Irukandji, i cili është shumë i vogël, por mund të shkaktojë dhimbje ekstreme. Pickimi i tij shpesh nuk ndihet fare në fillim, por pas rreth 20 minutash fillojnë simptomat, duke përfshirë lodhje të fortë, dhimbje të forta në veshka, djersitje të tepërt dhe të vjella të vazhdueshme. Viktimat përjetojnë spazma të forta në të gjithë trupin dhe një ndjenjë të tmerrshme se do të vdesin. Disa pacientë madje kanë kërkuar nga mjekët t’i vrasin për t’i dhënë fund dhimbjes, pasi ishin të bindur se vdekja ishte e pashmangshme.

Ka edhe kandidatë të tjerë të fortë nga deti, si kandili australian “box jellyfish”, i konsideruar si një nga më vdekjeprurësit në botë, pickimi i të cilit ndjehet si vaj i nxehtë mbi lëkurë. Po ashtu, krimbi i zjarrit, i cili lë gjemba të vegjël në lëkurë dhe shkakton një dhimbje djegëse që zgjat me orë, si dhe peshku “stonefish”, që duket si gur dhe shkakton një dhimbje të fortë që mund të zgjasë deri në 48 orë.

Për të përcaktuar se cili është pickimi më i dhimbshëm në tokë, ajër dhe det, dikush do të duhej t’i përjetonte të gjitha këto pickime, por ekspertët paralajmërojnë se kjo do të ishte shumë e rrezikshme. Disa pickime, si ai i kandilit Irukandji, mund të jenë edhe vdekjeprurëse. Prandaj, ndoshta nuk do të ketë kurrë një përgjigje përfundimtare për këtë pyetje, përveç nëse ndonjë aventurier guxon të përjetojë të gjitha pickimet më të dhimbshme në botë./dritare.net