Pse po flitet kaq shumë për berberinën në Shqipëri? Ja çfarë duhet të dini!
Dritare.net

Këngëtarja Ronela Hajati deklaroi disa ditë më parë se kishte përdorur për një periudhë të shkurtër berberinë për të rënë në peshë, duke rikthyer në vëmendje një suplement që po bëhet gjithnjë e më popullor në rrjetet sociale dhe tregun ndërkombëtar.
Berberina është një përbërës natyral që gjendet në disa bimë dhe përdoret prej kohësh në mjekësinë tradicionale kineze dhe atë ajurvedike. Së fundmi, ajo është promovuar si një alternativë "natyrale” për kontrollin e peshës dhe sheqerit në gjak, madje në disa media është quajtur edhe “Ozempic natyral”.
Sipas institucioneve shëndetësore dhe studimeve ndërkombëtare, berberina mund të ndikojë në metabolizëm duke ndihmuar në rregullimin e sheqerit në gjak, yndyrnave dhe inflamacionit në trup. Megjithatë, efekti i saj në rënien në peshë mbetet i paqartë: një studim klinik i publikuar së fundmi tregoi se përdorimi për disa muaj nuk solli ndryshime domethënëse në yndyrën trupore krahasuar me placebo.

Ekspertët paralajmërojnë se, pavarësisht popullaritetit, berberina nuk është një “zgjidhje magjike” për dobësim dhe nuk zëvendëson trajtimet mjekësore apo një stil jetese të shëndetshëm.
Sa i përket efekteve anësore, ato janë zakonisht të lidhura me sistemin tretës. Studimet dhe institucionet si NIH raportojnë simptoma si dhimbje barku, diarre, kapsllëk, të përziera apo fryrje. Në disa raste, mund të ndikojë në nivelin e sheqerit dhe presionin e gjakut, si dhe të ndërveprojë me medikamente të tjera, duke rritur rrezikun për efekte të padëshiruara.
Po ashtu, autoritetet evropiane kanë ngritur shqetësime për mungesën e të dhënave të mjaftueshme mbi sigurinë afatgjatë, duke theksuar se ende nuk mund të përcaktohet një nivel i sigurt përdorimi.
Në këtë kontekst, mjekët këshillojnë që berberina të mos përdoret pa konsultë mjekësore, sidomos nga persona që marrin barna të tjera apo kanë probleme shëndetësore, ndërsa trendet në rrjetet sociale duhen parë me kujdes dhe jo si udhëzues shëndetësor./K.C/dritare.net