
Kryeministrja që nuk ndryshoi veten për pushtetin. Ajo ndryshoi vetë kuptimin e pushtetit
Dritare.net

Herën e parë që e pashë Jacinda Ardern të fliste, në një konferencë shtypi menjëherë pasi ishte zgjedhur kryeministre e Zelandës së Re në moshën 37-vjeçare, përjetova se zbulova diçka.
Kjo ndodhi përpara se Ardern të fitonte vëmendjen ndërkombëtare: përpara masakrës së Christchurch-it në vitin 2019, kur ajo reagoi ndaj një akti terrori kundër myslimanëve jo me klishe apo distancë, por me qartësi morale dhe solidaritet; dhe përpara pandemisë COVID-19, kur ajo udhëhoqi vendin e saj me një model që pak vende arritën ta imitonin – duke mbajtur Zelandën e Re kryesisht të sigurt dhe të hapur, ndërsa pjesa tjetër e botës u izolua.
Por edhe përpara këtyre krizave përcaktuese, Ardern përcillte diçka ndryshe, diçka të heshtur por radikale. Nuk ishte thjesht fakti që ishte një grua në pushtet, apo që ishte e re. Ishte mënyra si ishte krejtësisht njerëzore dhe pikërisht për këtë arsye, fuqishme. Nuk përpiqej të dominonte skenën, as të dëshmonte se e meritonte vendin që kishte. Ajo thjesht fliste me qartësi dhe respekt. Dhe me këtë u hap një mundësi e re: ndoshta modeli i lidershipit me të cilin ishim rritur, nuk ishte i vetmi i mundshëm.
Në të njëzetat e mia besoja se për të mbajtur pushtet, duhej të përcillje seriozitet të pandryshueshëm. Nuk buzëqeshje shumë. Nuk qeshje për t’i bërë të tjerët të ndiheshin rehat.
Politikanët që shihja në televizion ishin të sigurt, agresivë në debat, të palëkundur në ton, pa asnjë shenjë dyshimi. Edhe në botën profesionale, burrat dhe gratë në pozita të larta vepronin me të njëjtin qëndrim dominues. I admiroja dhe, në njëfarë mënyre, doja të isha si ata. Por gjithashtu ndjeja se, për të qenë si ata, do të më duhej të hiqja dorë nga një pjesë thelbësore e vetes: hapësira, dëshira për t’i bërë të tjerët të ndiheshin mirë.
Dhe pastaj ishte Jacinda. Një grua vetëm pak vite më e madhe se unë, me pushtet të padiskutueshëm, që qëndronte para kamerave me një prezencë ndryshe. Ishte çliruese ta shihje, shkruan dritare.net. Ishte sikur po merrje leje të ishe vetvetja.
Dhe nuk isha e vetmja që ndihesha kështu. Gjatë viteve, Ardern është kthyer në një ikonë për një brez grash nga milenialet e deri te ato të brezit X: emocionalisht të ndërgjegjshme, të përfshira politikisht dhe skeptike ndaj performancës institucionale. Gratë që njoh e admirojnë për dhembshurinë, humorin dhe realitetin e saj.
“Na tregoi se amësia jo vetëm që nuk është fundi i ëndrrave personale, por se është e mundur dhe e rëndësishme të jesh aty për familjen dhe njëkohësisht të luftosh për atë që është e drejtë,” thotë Rhiannon, një stratege operacionale në të dyzetat e saj. “Ajo thjesht duket si një njeri vërtet i mirë,” thotë Julia, një mikesha ime që punon në administratë.
Vendimi i Ardern për të sjellë vajzën e saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së – dhe fakti që partneri i saj, Clarke Gayford, riorganizonte orarin e tij për t’u përshtatur me të sajin sfidoi në mënyrë të heshtur idenë se gratë, veçanërisht nënat, duhet të rregullojnë ambiciet sipas të tjerëve.
Edhe vetë Ardern e kishte menduar se politika ishte për njerëz më të sigurt, më të qëndrueshëm emocionalisht, më të përgatitur për përplasjet e ashpra të debatit parlamentar.
Edhe pse filloi të punonte në politikë në fund të adoleshencës fillimisht në fushatën e një deputeti lokal dhe më pas në zyrën e ish-kryeministres Helen Clark ajo mendonte se personaliteti i saj e bënte më të përshtatshme për punë pas kuintave.
Por kur u zgjodh në krye të Partisë Laburiste të Zelandës së Re, vetëm 53 ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017, as që i shkoi mendja të ndryshonte veten për t’iu përshtatur rolit.
“Nuk kishte kohë për të ridizajnuar veten në asnjë mënyrë,” thotë ajo në dokumentarin “Prime Minister”, që tregon mandatin e saj dhe që del në kinema më 13 qershor.
Jacinda Ardern nuk ndryshoi veten për pushtetin. Ajo ndryshoi vetë kuptimin e pushtetit./L.F-dritare.net

















