
Nga Eldon Gjikaj
Umberto Eco, një prej dijetarëve më të shquar të shekullit XX, në veprën e tij polivalente, si rrallëkush i ka kushtuar një vëmendje të posaçme memories, apo kujtesës individuale njerëzore, duke e analizuar / soditur si një fenomen psiko-spiritual sui generis. Eco e rishqyrton në vazhdimësi këtë “shqetësim” personal në shkrime të ndryshme, intervista dhe sprova analitike të hollësishme. Mes syresh në veprën “Kujtesa vegjetale” ai formulon konceptin e kujtesës selektive dhe të kujtesës mineralogjike: e para ka të bëjë me aftësinë tonë për formatuar tipare të pandryshueshme (invariante) për individë, apo sende, të cilët edhe pse me kalimin e kohës ndryshojnë ne i njohim dhe i shquajme fare mirë; në vijim të kësaj hullie arsyetimi, kujtesa mineralogjike ka të bëjë me të njëjtin proces psikologjik, por tashmë të shtrirë në një zonë urbaniteti, përfshirë doemos edhe arkitekturën (objekte, ndërtesa, rrugë etj.)
Të feksin këto “ndriçime” të dijetarit italian, nëse bën sot një kalesë të ngeshme nëpër Bulevardin “Zogu I” të Tiranës, tashmë të risuar rrënjësisht. Bëhet fjalë për një prej arterieve historiko-simbolike të kryeqyteti tonë, sepse dikur, ky bulevard ka përbashkuar një varg ndërtesash shumë të rëndësishme për nga funksioni dhe historia e tyre. Ato sot, në pjesën më të madhe, nuk e kanë më funksionin e shkuar, por, për fat të mirë, nuk kanë ndryshuar shumë në trajta dhe volume. Kësisoj, memuarisht, sekush mund të piketojë e shquaj identitetin e kësaj arterjeje edhe sot, duke e projektuar veten si një eksplorator urban, pse jo nostalgjik i së shkuarës, të cilën e sotmja nuk e ka zvetnuar.
Në të dyja e anët e bulevardit, nga ish Stacioni i Trenit tek sheshi Skënderbej, nga e majta në të djathtë shtriqeshin “Materniteti i Tiranës (sot “Nëna Xheraldinë”); kundruall “Fakulteti i Shkencave të Natyrës”, me kangjëllat bojëqelli, tullat e kuqe dhe lulishten përbri; në vijim banesa e shkrimtarit Petro Marko (më i mbrami humanist yni); karshi hotel “Arbëria”, me të famshmen verandë-kafene gjithnjë cit me njerëz (sot “Ministria e Drejtësisë”); më tej, redaksitë e dy prej gazetave politike më të rëndësishme të periudhës së Shqipërisë komuniste: “Zëri i popullit”, “Bashkimi”; restorant “Donika”, ku gëlonin klientët, jo vetëm për çmimet por edhe për cilësinë; “Cirku Kombëtar”, me çadrën blu e thellë; më tej Pallati i Kulturës “Ali Kelmendi” (sot Universiteti “UFO”), me sallën e shahut, bibliotekën; në nëndhesen e saj salla e ping-pongut dhe një tjetër sallë argëtimi, ku rinia kryeqytetase organizonte mbrëmje duke u “sajdisur” me sa mundej, me rrok dhe alkol (për herë të parë live, melodinë “Smoke on the Water”, Deep Purple, e kam dëgjuar bash aty në adoleshencë, kacavjerrur në kompesatën e derës; në kitarrë Genc Dashi); në skaj të bulevardit, majtas, Hotel-Bar “Peza” (sot “Veve Center”) një nga birraritë më të njohura dhe më të frekuentuara të Tiranës. Nuk mungonin përgjatë aksit studio artistësh, apo Njësia Filatelike, e cila mbijetoi deri vonë.
Sot nga e gjitha kjo ka mbetur në “shërbimin e dikurshëm” veç Materniteti “Nëna Xheraldinë” dhe “Fakulteti i Shkencave të Natyrës”.
Rikonstruksioni rrënjësor që ka pësuar ky aks kohët e fundit, investim i Bashkisë së Tiranës, për vetë rëndësinë e tij, meriton vëmendje të posaçme. Shkrirjet e buta mes korsive të makinave, të biçikletave dhe hapësirave për këmbësorët, të konturuara estetikisht me kuba mermeri, gjelbërimi (që më i shumtë duhet e mund të jetë), unifikimi i fasadave të ndërtesave, ndërhyrjet elegante në strukturën e disa prej tyre për t’i harmonizuar konceptualisht dhe fizikisht me të gjithë hapsirën, gërshetimi mes asfaltit dekorativ dhe pllakave të gurit, duke krijuar një minipedonale, meritojnë vlerësim maksimal për Bashkinë e kryeqytetit. I gjithë projekti shkon drejt një simboze të mirëharmonizuar mes godinave të banimit, bareve, njësive të shërbimit, zyrave, etj., duke krijuar një të tërë organike, ku secila pjesë ka rëndësinë dhe funksionin e saj. Ndërkohë rrespektimi i identitetit arkitekturor të së shkuarës, mundëson ngjalljen e asaj kujtese për të cilën fliste Eco. Për të “Kujtesa është shpirti ynë”./dritare.net

















