
Kjo është dera ku duhet të trokasësh nëse ke probleme me shëndetin mendor!
Dritare.net
Këto kohë ka qenë në qendër të vëmendjes një ngjarje që ka të bëjë me shëndetin mendor. Në fillim u shpjegua që një burrë xheloz mbylli në shtëpi vajzën, gruan dhe nënën, e mbushi shtëpinë me kamera sepse nuk duhet të kishin kontakt me botën. Kur ngjarja u mësua, gruaja tregoi se e dinte që burri kishte probleme të shëndetit mendor, por nuk e denonconte sepse e donte. Mbasi u dërgua në paraburgim, burri u dërgua për kurim. Por çfarë ndihme duhet kërkuar në këto raste dhe cilat janë institucionet e duhura për të marrë këtë shërbim? Ku të shkosh ti apo familja jote nëse keni një neurozë, ankth, stres, depresion, pa pasur frikë, me besimin se kjo gjendje do trajtohet. Rruga është të shkosh te mjeku i familjes, ai të drejton në qendra komunitare që trajtojnë këto probleme të shëndetit mendor. Gazetarja Rudina Xhunga shkoi sot te qendra komunitare nr.2 në Tiranë dhe foli me drejtoreshën, zonjën Miranda Doksani, e cila tregoi si funksionon kjo qendër, sa pacientë shkojnë dhe për çfarë problemesh shkojnë.
Miranda Doksani: Kjo është qendra e parë e shëndetit mendor e hapur në Shqipëri. Puna ka nisur në vitin 2000. Aktulisht jemi 21 profesionistë në profile të ndryshme, psikiatër e psikologë për fëmijë dhe adoleshentë, për të rritur, kemi punonjës socialë, infermierë, logopedistë, fizioterapistë. Zona jonë e mbulimit është 300 mijë banorë dhe përfshin një pjesë të Tiranës dhe disa fshatra deri në Vorë. Në Tiranë operojnë tri qendra komunitare. Pas qendrës sonë u hapën dy qendrat e tjera. Më pas u hap edhe shtëpia e mbështetur, që është një rezidencë ku mbahen njerëz me probleme të shëndetit mendor të gradave më të rënda, psikotikë kronikë që nuk kanë të afërm, familjarë dhe jetojnë aty. Ndryshe nga ne që jemi qendër ambulatore, ku njerëzit marrin të gjitha shërbimet për probleme të shëndetit mendor dhe largohen.
Vetëm në qendrën tonë janë mbi 3 mijë veta psikotikë kronikë, të gradës shumë të rëndë. Pa lënë jashtë të gjithë individët që vijnë dhe trajtojnë probleme të ndryshme të shëndetit mendor, që nga problemet e gjumit, ankthi, depresioni, obsesioni, çrregullime të personalitetit. Kjo qendër nuk lë jashtë asnjë lloj problematike të shëndetit mendor.
Rudina Xhunga: Vijnë vetë, i kërkoni ju? Si funksionon? I sjell mjeku i familjes apo vijnë direkt këtu?
Miranda Doksani: Ligji i shëndetit mendor i ka dhënë lehtësi dhe mundësi institucioneve që t’i sjellin ata te ne. Për ata që nuk kanë sigurime shteti ka vendosur një tarifë 1 mijë lekë të vjetër. Nëse merr rekomandim nga mjeku i familjes këtu e ke falas. Nuk është problem pagesa. Këtu referime vijnë dhe nga policia.
Vetem sivjet janë 10.000 mijë pacientë që kanë ardhur në qendrën tonë për t’u trajtuar për depresion, stres dhe të tjera neuroza. Personat që kanë neuroza vijnë, nuk kanë frikë. Vijnë të gjitha moshat, nga 70 vjeç e poshtë. Frika dhe turpi për të hyrë në këto qendra ka të bëjë edhe me kulturën e Ballkanit. E para ne e kemi vështirë të besojmë. E dyta ka të bëjë me mentalitetin tonë që ne i ndajmë gjërat me komshiun, me familjarët, me shoqen e ngushtë, por jo me një profesionist. Ne nuk e kemi këtë lloj kulture, të ndjekim shëndetin mendor te një profesionist. Bota shkon te psikologu edhe për një rast divorci, për të marrë një mendim nga profesionisti, për të kuptuar ku qëndron ai/ajo në këtë vendim që po merr. Është pak problem i kulturës. Por kemi një ndryshim gati 70% me vitet e para që është hapur kjo qendër. Nga 200 pacientë ne jemi në 12 mijë pacientë në vit./K.C/dritare.net

















