Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Iku nga Shqipëria në 1992-shin. Historia e Përparim Xhaferit, sot kërkues shkencor në Australi!

Iku nga Shqipëria në 1992-shin. Historia e Përparim Xhaferit, sot

Dr.Përparim Xhaferi, kërkues shkencor në Australi erdhi sot në Shqip nga Dritan Hila në DritareTV për të folur për jetën e tij, largimin nga Shqipëria në 1992-shin, emigrimin në Itali, për t’u zhvendosur përfundimisht në Melbourne të Australisë. Italia, thotë Xhaferi nuk ishte mikërpitëse ndaj shqiptarëve në 1992-shin, ndaj ai mori familjen dhe u zhvendos në Australi, për ta nisur jetën nga e para. Dr.Përparim Xhaferi sot është ekspert i politikave të përkatësisë etnike, racës dhe identitetit kombëtar në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Zoti Xhaferi aktualisht është duke hulumtuar rolin e Bashkimit Evropian dhe fuqive të tjera rajonale dhe ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor. Ai është anëtar i komitetit ekzekutiv të Shoqatës së Studimeve Evropiane të Australisë dhe Zelandës së Re (ESAANZ).


“Pasi mbarova universitetin në Tiranë, u emërova në Krastë të Elbasanit si shef teknike. Merresha me automjetet. Pastaj më transferuan në Tiranë dhe merrja pjesë me atë operacionin e famshëm të ndihmave humanitare që punonte përkrah operacionit italian. Në shkurt të ’92-shit u largova nga Shqipëria drejt Italisë. Por nuk e gjeta veten në Itali ndaj e pashë si alternativë ikjen në Australi. Në ’92-shin Italia nuk e priste valën e madhe emigratore që vinte nga Shqipëria, ndaj nuk ishte shumë mikpritëse ndaj nesh. Unë jetoja në një fshat të vogël të Torinos, por shumë larg qendrës, ndaj ishte e pamundur që çdo ditë të udhëtoja për të marrë shërbimet si shkolla apo një punë e mirë. Mendova edhe për familjen, për dy vajzat e mia ndaj jetesa atje ishte e pamundur. Situata nuk ishte e favorshme, kështu që vendosa të largohesha në Australi. Këtu e nisa nga zero. Australia nuk e njihte as shkollën e mesme e as të lartë që kisha bërë në Shqipëri. Kështu që u detyrova ta nis shkollën nga e para. Kreva arsimin e mesëm, pastaj bëra bachelor-in, pastaj master dhe doktoraturë. Sot jam kërkues shkencor, akademik. Ishte një kalvar i gjatë për të ardhur këtu ku jam sot.”, tha zoti Xhaferi në DritareTV./K.C/dritare.net