Kardiologu 95-vjeçar që nuk e njeh pensionin: Puna më mban gjallë
Dritare.net

Të enjten e kaluar, doktori Claudio Fabris festoi 95-vjetorin e lindjes, por fjala “pension” duket se nuk ekziston për të. Kardiolog dhe specialist i mjekësisë sportive, i diplomuar në Universitetin e Padovës në vitin 1955, ai numëron plot 69 vite anëtarësim në Urdhrin e Mjekëve — dhe vazhdon të punojë me të njëjtin pasion si në fillim.
“Javën e kaluar kam bërë 58 vizita,” tregon me buzëqeshje doktori Fabris. “Midis klinikës sime në rrugën Mazzini, vizitave sportive në qendrën ‘Fleming’ dhe kontrolleve kardiologjike për institutin ‘Bianalisi’, kaloj ditët mes pacientëve dhe certifikatave të aftësisë sportive. Disa vizita kërkojnë më shumë kohë, të tjerat më pak.”
Më shumë se njëmbëdhjetë pacientë në ditë, nga e hëna në të premte – një ritëm i jashtëzakonshëm për çdo mjek, por veçanërisht për një 95-vjeçar. Megjithatë, ai nuk ka ndërmend të ndalet.
“Duhej të kisha ndaluar, por këmbëngulja e pacientëve të mi ishte e madhe…,” thotë ai me një buzëqeshje të qetë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, gjatë ditës së fundit të punës në qendrën FisioSport Terraglio, Urdhri i Mjekëve të Venedikut, me presidentin Giovanni Leoni dhe zëvendëspresidentin Maurizio Scassola, i organizuan një ceremoni të vogël surprizë për ta nderuar.
Por doktori Fabris nuk pranoi të largohej nga profesionin që e dashuron:
“Puna më bën të ndihem gjallë. Gjithmonë jam përpjekur të interesohem për të tjerët. Më prekin shumë padrejtësitë. Sa herë dëgjoj për një femicid, është sikur të kem humbur dikë nga familja ime.”
Edhe pse po e redukton gradualisht ngarkesën e punës, ai vazhdon të jetë aktiv dhe kureshtar. Së fundmi është regjistruar në Universitetin e Kohës së Lirë, ku po mëson anglisht dhe frëngjisht.
“Me kalimin e kohës, njeriu i harron gjuhët,” thotë ai. “Dhe, të kuptosh disa thekse të folësve vendas, nuk është aspak e lehtë.”
Një shembull frymëzues i përkushtimit, pasionit dhe dashurisë për jetën, që dëshmon se dëshira për të mësuar dhe për të ndihmuar nuk ka moshë./l.F-dritare,.net