
Pse duhet rikthyer shërbimi i detyrueshem ushtarak! Flet specialisti!
Dritare.net
Karafil Celibashi Major në Rezervë dhe Shefi i Komunikimit dhe Edukimit pranë Muzeut të Forcave të Armatosura thotë se shërbimi i detyruar ushtarak është i domosdoshëm. I ftuar në Dritare TV, zoti Celibashi u shpreh se kurset e detyrueshme në ushtri janë të nevojshme jo vetëm për t’u përgatitur për ndonjë luftë të mundshme, por edhe për fatkeqësitë natyrore.
“Shërbimi ushtarak i detyruar nuk ishte një gogol për të rinjtë. Ushtria dikur i burrëronte të rinjtë. I mësonte me disiplinë. Në ushtri disiplina niste që te rregullimi i krevatit. Iu hiqte frikën. Imagjinoje një djalë të ri që rrinte vetëm në vend roje tre orë, në mes të natës. Vetëm armën e shërbimit kishte mik.
Mësonte respektin. Kush është i parë kush është i dyti në radhë. Respektin për më të madhin, në moshë e në gradë.
Nuk po them që shërbimi i detyruar ushtarak të jetë si dikur. Por ne duhet të jemi të përgatitur për çdo situatë. Imagjinoni një tërmet një fatkeqësi natyrore. A dinë të rinjtë sot të ngrenë një çadër të paktën? A dinë si të sillen në rast fatkeqësish? A di të mbijetojë në kushte jo normale? Për këto të mëson ushtria!”, u shpreh Karafil Celibashi në Dritare TV./L.F-dritare.net

















