Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Gjykimi i boksierit në New York në kaos: 3 shqiptarë tentojnë të korruptojnë jurinë me 100,000$

Gjykimi i boksierit në New York në kaos: 3 shqiptarë

New York Post

Një përpjekje për të korruptuar jurinë ka cuar në kaos gjykimin federal të ish-bokserit të rëndë Goran Gogic në New York. Sipas autoriteteve amerikane, tre persona të lidhur me organizata kriminale shqiptare dhe familjen mafioze Gambino ofruan një ryshfet prej 100,000 dollarësh për të nxjerrë Gogic jo fajtor në gjykimin e tij për trafikim të kokainës.

Gjyqtari Joan Azrack vendosi të shpërndajë jurinë, duke e ndërprerë gjykimin e nisur të hënën, vetëm në ditën e parë. Rasti, i cili lidhet me një nga sekuestrimet më të mëdha të kokainës në historinë e SHBA-së, do të rifillojë pas 30 ditësh me një juri anonim dhe pjesërisht të izoluar, sipas vendimit të gjykatës.

Të dyshuarit dhe lidhjet me krimin e organizuar

Tre të dyshuarit, Mustaga Fteja, Valmir Krasniqi dhe Afrim Kupa, u arrestuan dhe akuzohen për pengim të jurisë. Sipas prokurorëve:

Afrim Kupa, 52 vjeç, u kap në një incizim të fshehtë duke ofruar ryshfet dhe ka lidhje të dokumentuara me mafian shqiptare dhe familjen Gambino.
Valmir Krasniqi, 35 vjeç, kosovar dhe menaxher i një restoranti në Bay Ridge, gjithashtu ka lidhje me krimin e organizuar shqiptar.
Mustaga Fteja nuk rezulton të ketë lidhje direkte me mafian, por është pjesë e planit të korrupsionit.
Sipas prokurorëve, të tre kanë diskutuar mënyrën e dhënies së ryshfetit brenda një shtëpie në Staten Island, duke përdorur anglishten dhe shqipen.

“Si do ta paguani? Kush do të japë paratë?” pyeti Fteja.
“Paratë,” u përgjigj Kupa.
“Do më japësh mua? Sa?”
“Një, njëqind mijë,” konfirmoi Kupa.

Detaje mbi gjykimin e Gogic

Goran Gogic, 46 vjeç, i lindur në Mal të Zi, ka luajtur boks në Gjermani nga 2001 deri në 2012, me rekord 21-4-2. Ai akuzohet për trafikimin e 22 tonëve kokainë, me vlerë mbi 1 miliard dollarë, nga Kolumbia në Evropë përmes SHBA-së.

Autoritetet amerikane thonë se Gogic punonte me furnizues kokainash dhe anëtarë të ekuipazheve të dyshimta në anije tregtare. Tre nga transportet e tij u sekuestruan nga autoritetet në vitin 2019, duke përfshirë një ngarkesë me vlerë mbi 1 miliard dollarë, e konsideruar si një nga sekuestrimet më të mëdha në histori.

Gogic ndodhet në paraburgim pa të drejtë lirimi në Metropolitan Detention Center në Brooklyn, ndërsa prokurorët e konsiderojnë një trafikant të rrezikshëm të nivelit të lartë të kartelit të Ballkanit.

Masat ndaj të dyshuarve

Afrim Kupa u mbajt pa garanci.
Valmir Krasniqi u mbajt pa garanci dhe mohoi përfshirjen, duke thënë se pyetja “Është bërë?” i referohej takimit në shtëpinë e tij, jo ryshfetit.
Mustaga Fteja u lirua me një garanci prej 150,000 dollarësh.

Prokurorët besojnë se mund të ketë edhe bashkëpunëtorë të tjerë në këtë plan. Të tre mund të përballen me deri në 20 vite burg nëse shpallen fajtorë./L.F-dritare.net