Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Jon Bislimi: Boll na ndatë në shqiptarë e kosovarë

Jon Bislimi: Boll na ndatë në shqiptarë e kosovarë

Në një intervistë për Dritare Televizion me gazetaren Rudina Xhunga, studenti nga diaspora Jon Bislimi ngriti një shqetësim të fortë lidhur me mënyrën se si shqiptarët identifikohen në diskursin publik.

Bislimi kritikoi përdorimin e ndarjes “kosovarë dhe shqiptarë”, duke theksuar se kjo qasje krijon përçarje që në nivelin e gjuhës. “Jam shqiptar i Kosovës, nuk jam kosovar,” u shpreh ai, duke argumentuar se ndarja semantike dëmton unitetin kombëtar dhe e bën më të vështirë bashkërendimin e diasporës shqiptare.

Ai shtoi se kjo çështje bëhet edhe më problematike kur përdoret nga figura publike dhe përfaqësues politikë, të cilët sipas tij duhet të jenë më të kujdesshëm në mënyrën se si i adresojnë shqiptarët jashtë vendit.

“Që në fillim, nga mënyra si flasim, e ndajmë shqiptarin,” theksoi ai.

Bislimi e lidhi këtë debat edhe me historinë e Kosovës, duke kujtuar se ngjarjet tragjike dhe lufta çlirimtare nuk lidhen me një identitet të veçuar “kosovar”, por me faktin që popullsia ishte shqiptare. Sipas tij, ruajtja e këtij identiteti të përbashkët është thelbësore për të ardhmen e kombit.

Deklaratat e tij kanë nxitur diskutime të gjera në rrjetet sociale dhe në komunitetet e diasporës, duke rikthyer në vëmendje debatin mbi identitetin dhe unitetin kombëtar shqiptar./L.F-dritare.net