Ja kompania e kateringut që helmoi studentët e Akademisë së Sigurisë
Dritare.net

Kompania private e kateringut SORI-AL është vendosur në qendër të hetimeve pas helmimit masiv të 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë në Sauk, ngjarje që tronditi opinionin publik dhe vuri në alarm institucionet shëndetësore dhe policore. Sipas Policisë së Tiranës, studentët shfaqën simptoma të rënda si të vjella dhe dhimbje të forta barku pas konsumimit të ushqimit të shpërndarë në ambientet e akademisë. Të rinjtë u transportuan në Repartin Infektiv të QSUT-së, ku morën ndihmën e nevojshme mjekësore dhe më pas u larguan në gjendje të stabilizuar.
Në lidhje me këtë rast, policia arrestoi kuzhinierin Kujtim Ballgjini dhe teknologen e ushqimit Kristjana Plaka, ndërsa administratorja e kompanisë, Alma Tafani, është shpallur në kërkim. Një tjetër teknologe ushqimi, e identifikuar me inicialet R.Ç., po hetohet në gjendje të lirë.
Hetimet paraprake tregojnë se SORI-AL kishte kontratë për furnizimin me tri vakte ushqimore në ditë për studentët e Akademisë së Sigurisë. Sipas raportimeve, ushqimi prodhohej në ambientet e garnizonit “Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura dhe më pas transportohej drejt akademisë.
Pas skandalit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bllokoi mbi 150 kilogramë produkte ushqimore dhe vendosi gjoba administrative ndaj kompanisë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë së produkteve. Mostrat e ushqimit janë dërguar për analiza mikrobiologjike në laboratorët e ISUV-së.
Ndërkohë, mediat raportojnë se kompania SORI-AL rezulton fituese e dhjetëra tenderave publikë në institucione shtetërore, spitale dhe reparte ushtarake, me kontrata që arrijnë në miliarda lekë.
Prokuroria e Tiranës dhe Komisariati Nr.1 po vijojnë hetimet për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, ndërsa priten rezultatet laboratorike që do të përcaktojnë shkakun e saktë të helmimit./K.C/dritare.net