Itinerari i DritareTV! Udhëtim nga Hotolishti në Librazhd përmes rrugës alternative!
Dritare.net

Pas shembjes së urës “Arrat e Gurrës” në Dragostunjë, qarkullimi nga juglindja dhe për në juglindje po bëhet përmes një rruge alternative, e cila shërben si lidhja e vetme për banorët dhe drejtuesit e mjeteve.
DritareTV ka përshkuar itinerarin që përdoret aktualisht: Hotolisht – Dardhë – Rruga Egnatia – Spathar – Librazhd.
Segmenti Hotolisht–Dardhë është i asfaltuar dhe i kalueshëm normalisht. Por situata ndryshon sapo hyn në Rrugën Egnatia dhe më tej në Spathar. Rruga Egnatia është e ngushtë, e pashtruar, pa sinjalistikë rrugore. Edhe rruga në fshatin Spathar është e pashturar, deri sapo zbret në qendër të tij, ku është e shtruar me asfalt dhe bëhet lidhja me rrugën nacionale që të çon në Librazhd.
Mungesa e sinjalistikës dhe ngushtësia e aksit e bëjnë qarkullimin të vështirë.
Ky aks po përballon aktualisht gjithë fluksin e lëvizjes pas shembjes së urës në Dragostunjë, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të garantuar sigurinë dhe përmirësimin e kushteve në këtë rrugë, deri sa të ndërtohet rruga e re alternative që lajmëroi Autoriteti Rrugor pak ditë më parë./K.C/dritare.net