BKH zbarkon në zyrat e Portit të Durrësit, sekuestrojnë dosjen e koncesionarit të Porto Romanos
Dritare.net

Agjentë të BKH-së kanë zbarkuar ditën e sotme në zyrat e Autoritetit Portual Durrës. Janë sekuestruar dokumentet e koncesionarit të projektit Porto Romanos, i cili ndodhet në fazën proceduriale për shpalljen e kompanisë fituese që do të ndërtojë portin e ri.
Procedura aktualisht ndodhet në fazën ku disa kompani janë përjashtuar, pasi nuk plotësonin kriteret e kërkuara, dhe në garë ka mbetur vetëm një kompani. E gjithë procedura drejtohet nga Ministria e Transporteve, ndërsa Autoriteti Portual Durrës ka vetëm një përfaqësues në komisionin tenderues.
Ky zhvillim vjen ndërkohë që projekti i Porto Romanos konsiderohet strategjik për zhvillimin e infrastrukturës portuale në Shqipëri dhe pritet të ketë impakt të madh ekonomik dhe logjistik./dritare.net