
Idajet Beqiri: Policia e Shtetit, e bukur nga jashtë, e kalbur nga brenda!
Dritare.net

I ftuar në "Shqip nga Rudina Xhunga" në "Dritare TV" avokati Idajet Beqiri tha se Policia e Shtetit është e plotësuar me të gjitha teknologjitë, laboratoret, mjetet e transportit, por sipas tij është e kalbur nga brenda.
"Një ndër shkaqet kryesore të të paturit kaq shumë krime në vend është qëndrimi që mban policia ndaj krimit dhe kriminelëve.Qoftë kjo për parandalimin, apo për zbulimin. Këto janë ai “çelësi” i artë që të mos ketë krime. Nëse te krimineli ngulitet edhe në mënyrë psikologjike se nuk ka krim pa u zbuluar, me bindje të plotë kriminaliteti do të zhduket. E keqja është se Policia e Shtetit mbushet me teknologji, me makina moderne, me laboratore, me uniforma , me armatime, por njerëzit brenda policisë janë të kalbur. Janë të njëjtët, ata ishin në vitin 1991, në vitin 2001, ata janë në 2021. Ne ndërrojmë drejtorët e policive, por krimin nuk e zbulon vetëm një, e zbulon ai polici i thjeshtë në lagje, marrdhëniet që ndërton ai me komunitetin. Çdo cep i vendit tonë ka një polic që ruan, paguhet për këtë, por problemi është a e ruan ai çdo cep të Shqipërisë që të mos ndodhë asgjë?", tha Beqiri për Shqip nga Rudina Xhunga./M.M-dritare.net

















