Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nëse nuk veprojmë tani, pas 2-3 vitesh mund të na duhet të mësojmë rusisht. Paralajmërimi i NATO!

Nëse nuk veprojmë tani, pas 2-3 vitesh mund të na duhet të

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka propozuar një plan investimi të përbashkët për mbrojtjen, që do të prezantohet zyrtarisht në Samitin e NATO-s më 24-25 qershor në Hagë. Plani parashikon që shtetet anëtare të destinojnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në mbrojtje: 3.5% për mbrojtjen bazë, dhe 1.5% për infrastrukturë, industri dhe siguri strategjike.

“Jetojmë në një botë ndryshe, me kërcënime të reja dhe të rritura. Duhet të jemi të përgatitur. Koha për veprim është tani,” deklaroi Rutte pas përfundimit të takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel.

Sipas tij, NATO ka rënë dakord për objektiva të rinj kapacitetesh ushtarake, të cilët pritet të miratohen në Hagë. Krahasuar me vitin 2021, këto objektiva do të jenë 30% më të larta, dhe për disa vende mund të nënkuptojnë rritje efektive deri në 70%. Objektivat duhet të përmbushen brenda 5 deri në 10 viteve.

Rutte paralajmëroi se Rusia po përparon me një ritëm alarmant në prodhimin ushtarak, duke përmendur se ajo "prodhon për tre muaj atë që NATO arrin në një vit." Kjo, sipas tij, e bën urgjente nevojën për investime të mëdha në armë me rreze të gjatë, njësi të reja kombëtare, si dhe sisteme komanduese dhe mbikëqyrjeje.

“Për të ruajtur paqen dhe për të parandaluar agresionin, NATO duhet të mbetet një aleancë bërthamore, derisa të ekzistojnë armët bërthamore,” theksoi Rutte, duke konfirmuar angazhimin për ruajtjen e kapacitetit bërthamor si thelbësor për sigurinë e Aleancës.

Mbështetja për Ukrainën nuk do të ulet

Sekretari i Përgjithshëm nënvizoi se asnjë nga 32 vendet anëtare nuk ka në plan të ulë ndihmën për Kievin. Përkundrazi, gjatë këtij viti, NATO ka premtuar mbi 20 miliardë euro ndihmë shtesë për sigurinë e Ukrainës.

“Të gjithë ne duam paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Mbështesim përpjekjet e Presidentit Trump për t’i dhënë fund këtij gjakderdhjeje të shkaktuar nga Putin,” tha Rutte.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kërkoi që Europa të bëjë më shumë dhe të mos mbështetet vetëm te SHBA për sigurinë e saj. Sipas tij, është arritur një konsensus i afërt për objektivin 5% të PBB-së për mbrojtjen, ndërsa shtoi se disa shtete ende nuk kanë përmbushur as objektivin minimal prej 2%.

“Nuk do të përmend emra, por do t’i çojmë atje,” deklaroi Hegseth.

Gjermania do të shtojë 50-60 mijë ushtarë të rinj dhe do të krijojë njësi të reja për të përmbushur objektivat e NATO-s. Ministri gjerman Boris Pistorius e quajti këtë një "ndryshim paradigme", ndërsa Bundestagu ka lehtësuar rregullat buxhetore për blerjet ushtarake.

Nga ana tjetër, shtetet baltike, përfshirë Letoninë dhe Lituaninë, e kanë mbështetur plotësisht objektivin e ri 5%, duke theksuar se ky është i domosdoshëm për t’i bërë ballë kërcënimit rus.

“Nëse nuk veprojmë tani, pas 2-3 vitesh mund të na duhet të mësojmë rusisht,” paralajmëroi ministrja lituane e Mbrojtjes, Dovile Sakaliene.

NATO po hyn në një fazë të re historike. Përballë një bote të polarizuar dhe kërcënimesh të rritura nga Lindja, Aleanca po përgatit një strategji të fuqishme për forcim ushtarak, solidaritet dhe qëndrueshmëri. Samiti i Hagës do të jetë momenti kyç për të përcaktuar drejtimin e mbrojtjes euro-atlantike për dekadën e ardhshme./L.F-dritare.net