Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Historike/ Çifti Clinton pranon të dëshmojnë për lidhjet me Epstein

Historike/ Çifti Clinton pranon të dëshmojnë për

Bill dhe Hillary Clinton kanë pranuar të paraqiten fizikisht në Uashington për t’u marrë në pyetje nga Kongresi amerikan në hetimin për Jeffrey Epstein. Vendimi vjen në momentin e fundit, në përpjekje për të shmangur një votim në Dhomën e Përfaqësuesve që mund t’i shpallte ata në shpërfillje të Kongresit, një veprim që mund të ketë pasoja ligjore.

Për muaj të tërë, çifti Clinton kishte refuzuar të dëshmonte, çka çoi Komisionin e Mbikëqyrjes së Kongresit drejt procedurave ndëshkuese. Kryetari i komisionit, republikani James Comer, tha se vendimi i fundit i Clintons nuk është ende e qartë, pasi nuk përfshin data konkrete për dëshmitë.

Zëdhënësi i Bill Clinton, Angel Ureña, reagoi ashpër në rrjetin X, duke thënë se Clintons kanë bashkëpunuar në mirëbesim dhe se janë gati të dëshmojnë nën betim, por se komisioni po vepron për arsye politike.

Nga ana tjetër, Comer deklaroi se Clintons pranuan kushtet vetëm pasi Kongresi nisi procedurat për shpërfillje, dhe se komisioni nuk do të ndalojë derisa të ketë marrë dëshmi të plota dhe zyrtare.

Komisioni i Rregullave të Dhomës së Përfaqësuesve vendosi për momentin të pezullojë votimin për shpërfillje, por paralajmëroi se nëse nuk ka përparim shumë shpejt, çështja do të rikthehet në votim.

Më herët, Clintons kishin propozuar intervista vullnetare në Nju Jork, me kohë të kufizuar dhe kushte të caktuara, por këto mundësi u refuzuan nga republikanët, të cilët kërkojnë vetëm dëshmi zyrtare nën betim, pa kufizime.

Çfarë e lidh Bill dhe Hillary Clinton me Jeffrey Epstein?

Historike/ Çifti Clinton pranon të dëshmojnë për

Lidhja mes çiftit Clinton dhe financierit Jeffrey Epstein ka qenë prej vitesh objekt debatesh dhe spekulimesh, sidomos pas arrestimit dhe vdekjes së Epstein në burg në vitin 2019. Megjithatë, deri më sot, kjo lidhje bazohet kryesisht në kontakte shoqërore dhe udhëtime, jo në akuza penale.

Bill Clinton ka pranuar publikisht se e ka njohur Jeffrey Epstein në fillim të viteve 2000, në një periudhë kur Epstein prezantohej si financier dhe filantrop me lidhje të forta politike dhe ekonomike. Sipas dokumenteve të publikuara, Clinton ka udhëtuar katër herë me avionin privat të Epstein gjatë viteve 2002 dhe 2003, kryesisht për aktivitete bamirësie dhe takime ndërkombëtare.

Emri i ish-presidentit amerikan shfaqet gjithashtu në lista fluturimesh dhe fotografi të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë. Disa nga këto foto tregojnë Bill Clinton në ambientet e pronave të Epstein, përfshirë një rezidencë private. Këto materiale janë përdorur si bazë për hetime dhe pyetje nga Kongresi.

Megjithatë, Bill Clinton ka mohuar vazhdimisht çdo dijeni për aktivitetet kriminale të Epstein. Ai ka deklaruar se i ka ndërprerë kontaktet me të më shumë se 20 vite më parë, shumë kohë përpara se krimet seksuale të Epstein të bëheshin publike. Deri tani, asnjë viktimë e Epstein nuk e ka akuzuar Bill Clinton për shkelje apo përfshirje.

Sa i përket Hillary Clinton, nuk ka prova që ajo të ketë pasur marrëdhënie direkte apo kontakte personale me Epstein. Ajo përfshihet në hetim kryesisht për shkak të rolit të saj publik dhe për shkak të lidhjes martesore me Bill Clinton, si dhe për të sqaruar nëse ka pasur ndonjë dijeni institucionale gjatë kohës që shërbente si Sekretare e Shtetit.

Çifti Clinton ka deklaruar se ka bashkëpunuar me autoritetet dhe ka dorëzuar deklarata nën betim, duke thënë se informacioni që posedojnë për Epstein është i kufizuar. Ata e kanë cilësuar hetimin e Kongresit si të motivuar politikisht, ndërsa republikanët thonë se qëllimi është transparenca dhe se askush nuk është mbi ligjin.

Pikërisht këto lidhje – njohja, udhëtimet dhe dokumentet e publikuara – janë arsyeja pse Kongresi kërkon dëshminë e tyre zyrtare. Dëshmitë e Clintons pritet të ndihmojnë në sqarimin e rolit të individëve të fuqishëm dhe të institucioneve shtetërore në trajtimin e çështjes Epstein./L.F-dritare.net