Historia e 28 mijë dëshmorëve që luftuan për çlirimin e Shqipërisë! Flet Pëllumb Xhufi!
Dritare.net
Historiani i njohur Pëllumb Xhufi i ftuar në Shqip nga Dritan Hila foli për 80 vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë dhe partizanët që morën pjesë në luftë.
Zoti Xhufi tha se në vendin tonë kanë humbur jetën 28 mijë dëshmorë në krye të detyrës atdhetare, si dhe përpos kësaj shifre mund të ketë persona të tjerë të humbur gjatë betejave.
“Kemi 28 mijë dëshmorë sipas dokumenteve, por mund të jenë edhe më tepër. Mos harrojmë që ka qenë luftë dhe ka shumë persona të humbur. Këta 28 mijë dëshmorë janë kryesisht partizanë të organizuar në njësitë partizane nga më të vogla si Çetat deri tek Divizionet. Përveç këtyre ka dhe pjesëtarë të Çetave territoriale (pjesë integrale e Ushtrisë Nacional Çlirimtare), por mos të harrojmë dhe ata që e filluan, që dhanë alarmin të parët.
Ishin pikërisht anëtarët e njësive guerile që organizuan fillimisht rininë shqiptare në qytet dhe më pas në të gjithë trevat. Janë të gjithë ata që nuk zgjodhën të ishin indiferentë por t’i vënë shpatullat një detyre atdhetare, sfide të jashtëzakonshme siç ishte ajo e Luftës së Dytë Botërore, e cila u bën nën moton që e vulosi, Winston Churchill.
Churchilli më 22 qershor 1941, një ditë pasi u sulmua Bashkimi Sovjetik, mbajti një fjalim të rrallë që gjithmonë përmenden për përmbajtjen dramatike. Ai aty shprehet:
“Unë jam antikomunisti më i madh. Më njohin të gjithë, nuk kam çfarë fsheh. Por sot unë jam me popujt e Bashkimit Sovjetik, të cilët luftojnë jo vetëm për lirinë e tyre por edhe për lirinë tonë.
Prandaj ne u themi të gjithëve që, kush në këtë luftë për ekzistencë rreshtohet me ne kundër nazizmit është aleati ynë. Kush rreshtohet në krah të gjermanëve, është armiku ynë”.
Ky fjalim e ka ndjekur dhe qëndrimin që mbajtën aleatët e mëdhenj si; britanikët, amerikanët, sovjetikët ndaj popujve që u pushtuan nga nazistët.
Ndaj është turp i madh që të shtrembërohet historia e luftës. Një historian duhet të citojë faqen ku i merr dokumentet, jo të fshehë të vërtetën. Apo të grisen dokumente siç ka ndodhur në Arkivën Shqiptare, të cilat 40 vite më parë i gjeje, sot nuk janë më”, tha historiani./M.K-dritare.net