Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Gjyqi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, vijon edhe sot dëshmia e James Rubin!

Gjyqi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, vijon

James Rubin, ish-zyrtari amerikan dhe njohës i zhvillimeve në Kosovë gjatë periudhës së luftës, do të vijojë edhe sot dëshminë e tij në orën 09:00 në Gjykatën Speciale në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Një ditë më parë nisi faza e mbrojtjes së të pandehurve të akuzuar për krime lufte.

lexo edhe:


Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit ishte i ftuar nga ekipi i Thaçit. Gjatë dëshmisë së tij, Rubin theksoi se Thaçi kishte kryesisht rol politik dhe se nuk kishte kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së. Ai deklaroi gjithashtu se nuk kishte asnjë informacion që lidh Thaçin ose të akuzuarin tjetër, Jakup Krasniqi, me pretendimet për vrasje apo ekzekutime.

Aktakuza ndaj ish-presidentit Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në paraburgim që prej 2020-ës, përfshin burgosje të paligjshme, torturë, vrasje dhe persekutim, akuza që ata i kanë mohuar.

Mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit pritet të përfundojë në dy javëshin e parë të nëntorit ndërsa mbrojtja e Veselit dhe Selimi kanë deklaruar se nuk do të thërrasin dëshmitarë.


Rubin ka qenë ndihmës sekretar i Shtetit për Çështje Publike dhe zëdhënës i sekretares së Shtetit, Madeleine Albright dhe i konsideruar si krahu i djathtë i saj. Në vitin 1999, ai është angazhuar si negociator i posaçëm për të siguruar çmobilizimin e UÇK-së. Aktualisht, Rubin shërben si Përfaqësues i Posaçëm dhe Koordinator në Qendrën për Angazhim Global të Departamentit të Shtetit.