Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë sot për çështjen Balluku
Dritare.net

Gjykata Kushtetuese pritet të dalë sot me një vendim lidhur me ankimimin e qeverisë ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Kjo është mbledhja e tretë e Kushtetueses për këtë çështje. Në dy seancat e mëparshme, gjykata nuk ka marrë një vendim përfundimtar, duke e konsideruar dosjen si sensitive dhe duke kërkuar më shumë kohë për shqyrtim. Mbledhja e sotme ka nisur rreth mesditës, ndërsa ende nuk dihet se kur pritet të përfundojë.
Belinda Balluku u mor zyrtarisht e pandehur më 31 tetor 2025. Ajo akuzohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera dhe ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në procedurat për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe. Sipas SPAK, këto dy çështje i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 210 milionë eurosh.
GJKKO vendosi pezullimin e Ballukut nga detyra dhe sekuestrimin e pasaportës, duke i ndaluar daljen jashtë vendit. Megjithatë, pas ankimimit të qeverisë, Gjykata Kushtetuese vendosi rikthimin e saj në detyrë, ndërsa shqyrtimi i plotë i çështjes u zhvillua më 27 janar, pa u marrë një vendim përfundimtar.
Ndërkohë, SPAK ka kërkuar arrestimin e Ballukut, duke e konsideruar atë rrezik për prishjen e provave, argument i cili ishte përdorur edhe për masën e pezullimit nga detyra. Tashmë, vendimmarrja për heqjen ose jo të imunitetit të saj do t’i takojë Kuvendit të Shqipërisë./L.F-dritare.net