Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Qeveria miraton indeksimin e pagave për administratën dhe kategori të tjera

Qeveria miraton indeksimin e pagave për administratën dhe kategori


Këshilli i Ministrave ka vendosur indeksimin e pagave për administratën publike me 2,5%, duke përfshirë më shumë se 144 mijë punonjës dhe duke përfshirë edhe muajin janar. Ky indeksim synon të kompensojë pjesërisht rritjen e inflacionit, ndërsa për këtë vit janë parashikuar rreth 100 milionë euro për rritjen e pagave në administratën qendrore dhe vendore.

Përveç punonjësve të administratës, qeveria ka vendosur që të bëhet indeksim page me efekt nga 1 janari 2026 edhe për disa kategori të tjera, përfshirë Presidentin e Republikës, gjyqtarët, prokurorët, Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve, koordinatorët kundër korrupsionit, punonjësit mbështetës dhe personelin e sistemit shëndetësor.

Pas indeksimit, paga e Presidentit të Republikës rritet në 435.625 lekë/muaj, ndërsa paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë bëhet 156.825 lekë/muaj. Ky vendim vjen ndërsa gjyqtarët kishin depozituar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për rritjen e pagave, e kundërshtuar nga kryeministri.

Në sistemin shëndetësor, përveç indeksimit prej 2,5%, ndryshon edhe formula e njohjes së vjetërsisë në profesion. Shtesa për vjetërsi llogaritet në tre grupe: 0,6% për çdo vit për 10 vitet e para, 0,8% për vitet 11–20, dhe 1% për vitet 21–30. Kjo ndryshon nga formula e mëparshme, ku shtesa jepte 2% për çdo vit pune deri në 25 vite.

Vendimet e reja për indeksimin e pagave do të zbatohen gjithashtu në sistemin arsimor dhe pushtetin vendor gjatë këtij muaji. Të gjitha vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”./K.C/dritare.net