
Fotoja bardhë e zi, që më kujton si është jeta!
Dritare.net
Nga Etleva Kondakçiu
Kisha ditë që nuk shkoja në shtëpi. Nga shkolla, bëja gjysmë ore rrugë në këmbë për të marrë autobusin. Nga agjencia, siç e quanin atëherë sheshin që tani është rrudhur e bërë një dorë, duhet të merrja një tjetër autobus që të çonte pothuajse te dera e spitalit. Rojet dhe infermierët nuk më pyesnin më ku shkoja. Kur hyja në dhomë, mami më thoshte “E dija që ishe ti. Të njoha nga hapat.” Derisa e rregulluan në dhomë më vete dhe me një krevat tjetër bosh, unë flija me të në një krevat. Ndodhte që kishte nevojë natën e nuk më zgjonte. Darkave vinin gjithmonë njerëz. Disa prej tyre, kushërinj ose thjesht miq, i sillnin ndonjë supë të ngrohtë e rrinin një copë herë, në këmbë, derisa të siguroheshin se do ta hante. I merrnin pastaj enët me vete që t’i sillnin prapë të nesërmen. Nuk harrohen kurrë njerëzit që të sjellin pak supë që e kanë bërë enkas për ty në spital.
Në mëngjes duhet të çohesha shumë herët e të bëja të njëjtën rrugë deri në shkollë. I njihja edhe fatorinot e autobusëve. Më dukeshin të fuqishëm. Ata vendosnin nëse donin apo jo që ta paguaje biletën në varësi se sa e madhe apo e vogël u dukeshe. Madje, më dukeshin edhe shumë të pasur me atë si trastë blu që mbanin lidhur në brez, plot me monedha të rënda. Njëri prej tyre është vërtet shumë i pasur sot. Kushedi sa qesharake i duket ajo trasta e dikurshme. Në autobus, shumica e njerëzve shkonin ose ktheheshin nga puna, por kishte edhe ca djem ose burra që nëse të shihnin vetëm, një vajzë të vogël, pa njeri, të ngulnin sytë e të dukej sikur të shponin me atë shikim pervers. Ishte turp, ama, t’i thoshe njeriu se dikush t’i nguli sytë ashtu ose unë të paktën ashtu e dija. Nuk kisha frikë, por nxitoja të ecja gjithmonë në vende me dritë e sa më afër njerëzve që më dukeshin normalë e në hallin e vet.
Një nga këto ditët shkollë-spital-shkollë, na erdhi një fotograf për t’u bërë fotografi nxënësve të dalluar. Çdo vit na bënin fotografi, por unë nuk mbaj mend asnjë tjetër, edhe pse përgatitjet tjetër herë ishin të mëdha. Siguroheshim ta kishim përparësen dhe jakën e bardhë të sapolarë dhe të hekurosur, vijën e flokëve të ndarë me preçizion dhe buzëqeshjen e mësuar gati për minuta të tëra. Kjo ishte fotoja ime pa asnjë filtër, pa asnjë sforco. Dhe kisha ndër mend shumë më tepër halle dhe mendime sesa dallimi në mësime. Kjo është fotoja që më kujton sa e bukur është jeta, me gjithë dhimbjet, trishtimin, humbjet./dritare.net

















