
Forcat e Armatosura dhe emergjencat civile në betejë me zjarret në gjithë vendin
Dritare.net
Shqipëria po përballet me një situatë kritike zjarresh në disa zona malore dhe pyjore të vendit, ku Forcat e Armatosura, së bashku me strukturat e AKMC-së dhe emergjencat civile vendore, vijojnë të jenë në terren dhe të angazhuara në operacione intensive nga toka dhe ajri.
Sipas të dhënave zyrtare, 953 forca janë të përfshira në operacionet e sotme, të mbështetura nga 56 mjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe një avion Canadair italian i ardhur në ndihmë për përballimin e vatrave të shumta.
Operacionet po zhvillohen në disa nga zonat më të rrezikuara:
Parku Kombëtar i Lurës – Dibër
Zall Gjoçaj – Mat
Qafë Buall – Bulqizë / Plan i Bardhë – Klos
Kalasë – Delvinë
Markat – Konispol
Piqeras & Sasaj – Himarë
Fang & Kulme – Rrëshen
Dishnicë – Korçë
Parku i Prespës – Pustec
Fushëbardhë & Skërficë – Gjirokastër
Dragobi & Mali i Shkëlzenit – Tropojë
Shëngjergj – Tiranë
Kuç – Vorë / Shetel – Shijak
Bjeshka e Rahovicës – Malësi e Madhe
Terreni i vështirë, temperaturat e larta dhe era kanë vështirësuar ndjeshëm operacionet, ndërkohë që autoritetet vijojnë të bëjnë thirrje për kujdes dhe bashkëpunim nga qytetarët për të shmangur çdo rrezik të ri zjarri.
Autoritetet mbeten në gatishmëri të plotë, ndërsa vlerësohet ndërhyrja e shpejtë që ka parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve në zona të banuara dhe të mbrojtura natyrore./L.F-dritare.net

















