Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Flasin vrasësit/ Tri krime të rënda që tronditën vendin, rrëfimet e autorëve dhe një thirrje për reflektim

Flasin vrasësit/ Tri krime të rënda që tronditën

Tre ngjarje tragjike kanë tronditur Shqipërinë këto ditë, ku në secilën rast, konflikte të çastit dhe humbje kontrolli kanë përfunduar në vrasje të rënda. Të tre autorët kanë rrëfyer versionin e tyre të ngjarjes, duke përshkruar momentet që i çuan drejt aktit fatal.

Berat – “Humba kontrollin, mora thikën dhe e godita”

Vrasja në Kalanë e Beratit

Një nga monumentet më të vizituara të trashëgimisë kulturore shqiptare, Kalaja e Beratit, u kthye në skenë tragjedie.
Autori Kristo Mema, 63 vjeç, që fitonte para duke shëtitur turistët me kalë në mënyrë të paligjshme, vrau me thikë një vizitor nga Tirana, Keli Hoxha, 42 vjeç, vetëm sepse ky i fundit preku kalin e tij.

Në dëshminë e dhënë në polici, Mema u shpreh:

“I thashë mos e prek kalin se është i acaruar sot dhe mund të reagojë keq, por ai më shau dhe ofendoi. Humba kontrollin, mora thikën që e mbaja në samarin e kalit dhe e godita në gjaknxehtësi.”
Pas krimit, 63-vjeçari tentoi të fshihej në një shpellë të kalasë, por u arrestua disa orë më pas. Hetimet zbuluan se ai kishte një të kaluar kriminale – një vrasje tjetër në vitin 1993, për të cilën kishte shmangur dënimin.

Durrës – “Nuk e di si ndodhi, po hanim drekë dhe humba kontrollin”

Vrasja e babait nga i biri në Shkallnur

Një tjetër ngjarje tronditëse u shënua në Shkallnur të Durrësit, ku Marjan Kodheli, 25 vjeç, vrau me thikë të atin, Pjetër Kodheli, 69 vjeç, gjatë një debati në familje.

I riu, që kishte jetuar për disa vite në Francë e Greqi, ka dëshmuar se tensionet me babanë kishin qenë të vazhdueshme:

“Po hanim drekë dhe papritur babai mu hodh me nerva në debat. Nuk më linte të haja i qetë. Nuk e di si ndodhi, por në ato momente humba kontrollin, mora thikën dhe e godita.”
Sipas dëshmisë së bashkëjetueses së viktimës, i riu kishte probleme të shëndetit mendor, por pa kartelë mjekësore. Policia dhe prokuroria po verifikojnë gjendjen e tij psikologjike.

Tiranë – “Më ofendoi para kolegëve, nuk durova më”

Vrasja e kuzhinierit në një restorant në Komunën e Parisit

Në Tiranë, një grindje e çastit në një restorant u kthye në skenë krimi. Filip Shehu, 43 vjeç, ndihmës picier, vrau me thikë eprorin e tij, Indrit Ismaillari, 41 vjeç, gjatë orarit të punës.

Në dëshminë e tij, Shehu tha:

“Jam ndjerë i fyer dhe i poshtëruar publikisht. Ai më ofendoi me fjalë të rënda para kolegëve. Kur më tha mos merr këtë proshutë të hapur, u ndez debat. Më shau, nuk durova më dhe e godita.”
Pamjet e kamerave treguan se gjithçka ndodhi për më pak se një minutë. Autori kishte qenë i dënuar më parë për mbajtje të armëve të ftohta, ndërsa punonjësit e restorantit e përshkruajnë si “njeri të mbyllur dhe të ftohtë në komunikim”.

Një thirrje për reflektim

Tre jetë të humbura, tre familje të shkatërruara dhe tri dëshmi që përbashkohen në një fjalë: “Humba kontrollin.”
Këto ngjarje dramatike na kujtojnë se dhuna, pavarësisht shkakut apo momentit, nuk është kurrë zgjidhje.
Çdo debat, çdo konflikt, mund të marrë përmasa tragjike nëse nuk ndalet në kohë.

Është koha të reflektojmë si shoqëri për menaxhimin e emocioneve, kujdesin ndaj shëndetit mendor dhe ndërgjegjësimin për pasojat e dhunës./L.F-dritare.net