Faza përfundimtare e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK në Hagë!
Dritare.net
Nga data 9 deri më 13 shkurt, si dhe më 16 dhe 18 shkurt, para Dhomave të Specializuara në Hagë do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Seancat janë parashikuar të mbahen nga ora 09:00 deri në 16:30, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Speciales. Më 9 shkurt do të paraqitet deklarata përmbyllëse e Prokurorisë, e cila do të vazhdojë edhe më 10 shkurt, së bashku me deklaratën përmbyllëse të Mbrojtjes së Viktimave.
Fillimisht do të ketë radhën Prokuroria, ekipet e mbrojtësve të viktimave, dhe më pas nga 11 shkurti do të jetë radha e ekipeve mbrojtëse të të pandehurve.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.