Fati i Belinda Ballukut. PS shqyrton sot raportin për kërkesën e SPAK
Dritare.net

Grupi parlamentar i Partia Socialiste do të zhvillojë sot një mbledhje për të shqyrtuar raportin e përgatitur nga pesë përfaqësuesit socialistë në Këshillin e Mandateve lidhur me kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.
Hartimi i raportit i është besuar kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka kërkuar praninë e të gjithë deputetëve në mbledhje. Në takim pritet të jetë e pranishme edhe vetë Balluku.
Gjatë mbledhjes pritet të mbajë një fjalim edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa ende nuk dihet nëse ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë do të marrë fjalën. Edhe pse socialistët janë treguar të rezervuar në deklaratat publike, nga qëndrimet e deritanishme është lënë të kuptohet se, pas largimit të saj nga detyra, ata nuk shohin arsye për të dhënë autorizimin për arrestim.
Ky qëndrim është artikuluar më herët edhe nga Rama në mbledhjen me grupin parlamentar dhe ministrat, kur njoftoi ndryshimet në qeveri dhe largimin e Ballukut nga detyra, pas masës së pezullimit të vendosur nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Masa mbeti në fuqi pasi Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk arriti të marrë një vendim përfundimtar.
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vlerësuan njëzëri se një ministër nuk përfiton nga përjashtimet e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale për masën e pezullimit, por u ndanë në interpretimin nëse kërkohet apo jo leja e Kuvendi i Shqipërisë për pezullimin e një anëtari të qeverisë.
Pas këtij zhvillimi, shumica parlamentare propozoi ndryshime në nenin 242/2 të Kodit të Procedurës Penale, duke përfshirë ndalimin e pezullimit edhe për anëtarët e qeverisë, presidentin dhe drejtuesit e institucioneve të pavarura.
Vendimi përfundimtar pritet të merret në seancën plenare të 12 marsit, ku Kuvendi do të votojë mbi kërkesën e SPAK. Ndërkohë, Partia Demokratike ka publikuar raportin e saj të plotë, duke deklaruar mbështetje për kërkesën e SPAK.
SPAK e ka marrë Ballukun të pandehur për çështjen e ndërtimit të tunelit të Llogarasë dhe e ka nën hetim edhe për shtatë lotet e projektit të Unazës së Madhe. Ndaj saj rëndon akuza e “shkeljes së barazisë në tendera”./L.F-dritare.net