
Elbasan/ Kontrolle në 14 banesa për hetimet mbi inceneratorin, dyshime për shpërdorim detyre
Dritare.net
Me urdhër të Gjykatës, Prokuroria dhe Policia e Elbasanit kanë zhvilluar një operacion të gjerë kontrolli në orët e para të mëngjesit të së hënës në kuadër të hetimeve për inceneratorin e këtij qyteti.
Burime zyrtare bëjnë me dije se janë ushtruar kontrolle në 14 banesa të personave që dyshohet se kanë lidhje direkte apo indirekte me këtë çështje. Hetimet janë përqendruar mbi veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa nuk përjashtohet përfshirja edhe e funksionarëve publikë.
Hetimet për inceneratorin kanë nisur që më shumë se një vit më parë, pas një ngjarjeje të rëndë në fushën e mbetjeve të qytetit, e cila u përfshi nga flakët në vitin 2024. Fillimisht, hetimet ishin fokusuar mbi rastin e zjarrvënies, por gjatë procesit hetimor janë zbuluar indicie për abuzime me detyrën.
Pritet që gjatë ditës së sotme të bëhen publike më shumë detaje rreth këtij aksioni dhe të zbardhen rezultatet e kontrolleve të kryera./L.F-dritare.net

















