
Dritan Shakohoxha: Bashkimi Shqipëri-Kosovë do të bëhet shumë shpejt
Dritare.net
Në një intervistë në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV, komentatori sportiv Dritan Shakohoxha shpreh bindjen e tij të plotë për një bashkim të afërt mes Shqipërisë dhe Kosovës, në aspektin sportiv, duke e konsideruar atë një domosdoshmëri historike, politike dhe ekonomike.
Një nga momentet kyçe të intervistës ishte reagimi i Shakohoxhës ndaj atyre që përpiqen të ndajnë shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri, duke i cilësuar këto përpjekje si “budallallëqe” të mbetura nga periudha e Jugosllavisë. “Shumë njerëz janë nostalgjikë, por nostalgjia mund të jetë për gjëra që ke kaluar me shqiptarët, jo me serbët,” tha ai me tone të forta.
Duke shpjeguar rëndësinë e identitetit të përbashkët kombëtar, Shakohoxha theksoi: “Ti duhet të kesh një identitet të përjetshëm. Identitetet e përjetshme janë gjëra me rrënjë, nuk janë gjëra që ndryshojnë sipas kohës.”
Më tej, ai shprehu bindjen se bashkimi mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk është vetëm çështje emocionale apo historike, por edhe strategjike dhe ekonomike. “Jam i bindur që shumë shpejt do bëhemi një shtet. Serbët janë më të zgjuar se ne, thjesht janë më shumë, prandaj duhet të bashkohemi,” tha Shakohoxha.
Ai argumentoi: “Jemi një komb, një gjuhë, një flamur, por na leverdis ekonomikisht të bashkohemi. Shqipëria nuk do ekzistonte pa paratë nga Kosova. Turizmi shqiptar do ishte ashtu si në vitet ’90, pa asnjë zhvillim.”, tha Shakohoxha./K.C/dritare.net

















