Rama: Riorganizimi i PS, më shumë se proces i brendshëm, një urë komunikimi me qytetarët
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka ndarë reflektimet e tij më të fundit në kuadër të komunikimeve periodike me publikun, përmes podcastit “Flasim”, ku këtë herë u ndal veçanërisht te procesi i riorganizimit të brendshëm të Partisë Socialiste. Në një moment që ai e konsideron të rëndësishëm jo vetëm për strukturën e partisë, por edhe për mënyrën se si zhvillohet komunikimi politik në vend, Rama theksoi se kjo fushatë e brendshme shkon përtej një procesi të zakonshëm organizativ. Sipas tij, ajo përfaqëson një përpjekje të gjerë për të forcuar lidhjet me anëtarësinë, mbështetësit dhe qytetarët në tërësi, duke krijuar më shumë hapësirë për dialog dhe dëgjim të ndërsjellë."Jemi përfshirë në një proces, në një fushatë të brendshme në Partinë Socialiste, për të zgjedhur ata që do të jenë drejtuesit e organizatave tona në të gjithë territorin e Shqipërisë, që nga niveli i qendrës së votimit, në nivelin e njësisë administrative dhe në nivelin e bashkisë. Por, në ndërkohë, kjo ka rëndësi për këto shënime, sepse nuk është thjesht një fushatë e brendshme organizimi dhe energjizimi, por është edhe një fushatë komunikimi mes nesh dhe mes nesh dhe të gjithë atyre që na mbështesin, që na besojnë apo që kanë dëshirë dhe nevojë të na dëgjojnë dhe që t’i dëgjojmë, pasi jetojmë në një kohë kur bëhet gjithmonë më e vështirë për të mësuar të vërtetën apo për të marrë informacionin e drejtpërdrejtë lidhur me një fakt që të intereson.
E kundërta ndodh! Je menjëherë i përmbytur nga gjysmë të vërteta, që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, nga gënjeshtra safi, që i thonë fjalë nga sajesa e fabrikime, dhe nga komente gjithfarësh, që në fund të ditës më shumë e mjegullojnë sesa ndihmojnë në kërkimin e të vërtetës, dhe thuhen nga të tëra, dëgjohen nga të tëra, por ajo që është më shqetësuesja, për sa më takon dhe për sa na takon, është se nuk flitet, nuk komunikohet e nuk diskutohet për punët e Shqipërisë.
Po përkundrazi, punët e Shqipërisë identifikohen vetëm me një luftë mizerabël politike dhe me një përpjekje të vazhdueshme të kujtdo që është në anën e kundërt me ne, që qeverisim Shqipërinë, për të bërë çmos që punët e Shqipërisë të mbulohen me ziftin e dëshpërimit të tyre, me baltën e të gjithë urrejtjes, mllefit, inateve të tyre. Shqipëria ka probleme, patjetër. Ne kemi shumë punë për të bërë, pa dyshim; jo çdo punë e kemi bërë si duhet dhe sa duhet, kjo nuk ka diskutim, por ama Shqipëria punon dhe punët e Shqipërisë, në tërësi, janë në vijë.
Ashtu si kundër, dhe e mbyll këtë shënim, është në vijë procesi më i rëndësishëm historik i anëtarësimit në Bashkimin Europian, me negociatat që vazhdojnë dhe, në ndërkohë, gjithçka që thuhet kur vjen puna te negociatat lidhet me gënjeshtrën e madhe se: “ato janë bllokuar”, “ato janë ndaluar”, “ato janë penguar”, për arsye të mosarsyes së të gjithë atyre që synojnë ta pengojnë Shqipërinë për të luftuar qeverinë. E vërteta e thjeshtë është se kjo punë e madhe e Shqipërisë vazhdon përditë e përditë e përditë dhe, së shpejti, përsëri, siç kemi pasur në procesin e hapjes së kapitujve, do të kemi lajme shumë të mira për të gjithë”, tha Rama./K.C/dritare.net