Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

DOSJA/ Tuneli i Llogarasë, provat e SPAK për Ballukun!

DOSJA/ Tuneli i Llogarasë, provat e SPAK për Ballukun!

Nga aktet e administruara deri në këtë faze të hetimeve paraprake rezulton se Belinda Balluku, duke qenë në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ndonëse kishte deleguar formalisht përgjegjësitë e titullarit të autoritetit kontraktor tek Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë se infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, në fazën përgatitore, gjate zhvillimit të procedurës, në fazën e dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave, deri në momentin e lidhjes se kontratës me operatorin ekonomik fitues.”

Për prokurorinë e Posaçme, Belinda Balluku e kishte të përcaktuar fituesin e tenderit për tunelin e llogarasë, bashkimin e kompanive turke, “INTEKAR – ASL”, një tender 170 milionë eurosh. Gjithçka ajo e bëri në koordinim me vartësin e saj, Evis Berberi, që kur ky i fundit ishte pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave që në tenderin e parë, që më pas u anulua. Komunikimet mes Ballukut dhe Berberit thotë SPAK kanë vërtetuar se që prej tenderit të parë e deri në firmosjen e kontratës me turqit, Balluku luante fije.

Historia nis me hapjen e tenderit të parë dhjetorin e vitit 2020. Qëllimi ishte të manipulohej kriteret, ndërsa kompania “Gjoka Construction” kishte bërë një ofertë prej 140 milionë eurosh nga 190 që ishte fondi limit, po ajo nuk plotësonte kushtet teknike dhe të eksperiencës.

Kriteret e thoshin qartë që kompania duhet të kishte 5 vite eksperiencë me tunelet dhe të paktën të kishte ndërtuar me të paktën 70% të fondit limit, që u bë 50%. Edhe kriteri i fitimi në 5 vitet e fundit që më parë ishte 50 milionë euro u bë 20 milionë euro. Për eksperiencën u gjet një artificë e tillë që të ishte 3 nga 5 vitet e fundit. Megjithatë gjithçka dukej e sforcuar, dhe ministrja urdhëron vartësin të anulojë direkt tenderin, në një bisedë të 18 marsit 2021.

Bisedë Belinda Balluku - Evis Beberi 18 mars 2021

Belinda Balluku: Mendoj ta anulojmë, skualifikoji të gjithë.

Evis Berberi: Jam mëse dakord.

Belinda Balluku: Më jep afatet nëse e shpallim nesër....Mbylleni sot me urgjencë.

Evis Berberi: E mbyllëm, sot e ke të mbaruar.

Qëllimi ishte që rishpallja e tenderit të bëhet me urgjencë, edhe për të shmangur ankimimet, por duhej përgatitur dokumentacioni.

Bisedë Belinda Balluku - Evis Beberi 23 maj 2021

Belinda Balluku: Kur do ta hapësh Llogarane se plasa.

Evis Berberi: Kur të miratojë Reida formalin e DST te reja në përputhje me ndryshimet e VKM.

5 ditë më vonë, 28 maj 2021, Balluku i shkruan sërish Berberit, këtë herë për t’i dhënë lajmin se do të emërohet në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Belinda Balluku: Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë po të jap diçka nga e cila varet e ardhmja ime, e jotja dhe e shumë të tjerëve që ndodhen përqark nesh.

Do të pritej edhe një muaj, qershorin e 2021-shit, që të fillojnë procedurat e tenderit të ri. Në lojë futet kompania turke INTERCAR, e cila nuk kishte aplikuar tenderin e parë. Një bisedë e ministres Balluku me Evis Berberin e datës 19 gusht 2021 SPAK vërteton komunikimet që Balluku kishte me kompaninë turke. Ministrja i kalon Berberit këtë mesazh në anglisht nga turqit që e njoftuan se ishin në fund të përgatitjes së dokumenteve.

Një ditë më vonë punonjësit e Ministrisë së Infrastruktuës takohen me turqit me urdhër të “Shefes.

Aida Gurabardhi: Visi Hajde t’i takojmë bashkë se kështu tha shefja.

SPAK thotë se nga dokumentimi përmes të dhënave TIMS turqit ishin ato ditë vere në Tiranë.

Por jo vetëm nga zyra. Balluku tenderin e tunelit të llogarasë e merr edhe në shtëpi. Më 29 gusht ajo i thotë Berberit që ta takojë në orën 8 të darkës, por ky i fundit shkon në mëngjes.

Evis Berberi: Mirëmëngjes, te Toni u ula.

Belinda Balluku: Në darkë o zemër

Pak orë më vonë ministrja i shkruan.

Belinda Balluku: Po futem ne garazh, hajde lart me mire shkalla H

Puna tashmë kishte avancuar dhe shpallja e fituesit po afronte. Përmes komunikimit në Signal me Evis Berberin ministrja informohet nga ky i fundit për të gjitha ofertat, ndërsa në të njëjtin komunikim të datës 7 shtator 2021 biseda tregon shumë.

Belinda Balluku: Kur mbyllet vleresimi'

Evis Berberi: Po them ta leme mbi 10 dite...te duket qe po vleresojme. Nese duhet shpejt e bejme

Belinda Balluku: Ça ndodh me afatet, po ta mhyllim në datë 16?.

Evis Berberi: Asgjë, e kemi më afër kontratën. Jemi ok me 16. 9 dite vlerësim mjaftueshëm"

Më 1 tetor shpallet fituese bashkimi i kompanive turke INTERKAR dhe ASL, por SPAK argumenton në dosje se ishin 6 kriteret që sipas prokurorisë turqit nuk i plotësuan, mes të cilave mungesa e dokumentacionit, përvoja dhe pa kontrata pune.

Balluku vijon edhe më pas komunikimet me vartësin e vet, për të organizuar takime me turqit përpara se ata të lidhnin kontratën, ndërsa kujdeset posaçërisht edhe me denoncimet nga opozita.

Deputeti demokrat i asaj kohe, Arbi Agalliun, nga Kuvendi akuzoi Ballukun për lidhje direkte me turqit që fituan tenderin e Tunelit, ndërsa vetëm pak ditë më pas ministrja komunikon me Evis Berberin që ta takojë opozitarin.

Belinda Balluku: Do të të marr për një takim Arbër Agalliu, deputet i PD që ka nja dy pyetje për dy toka që ka në Vlorë, një tek bypass dhe një në hyrje të autostradës. Qëndrim shumë i dashur, shumë i mirë, se është djalë qytetar.

Më 25 tetor me firmë të Ballukut ngarkohet vetë Berberi, si drejtor i ARRSH të që lidhë kontratën me kompaninë, ndërsa në 2 raste, më 2 nëntor dhe 6 nëntor Berberi komunikon me ministren për t’u takuar me biznesmenët turq.

Evis Berberi: Turqit vijnë të hënën në 8 të mëngjesit dhe ikin në 18:00 po të hënën. Kontratën e firmosim në ARRSH? Në çfarë ore do që të vijë plaku i ASL të të takojë?

Pas hidhjes së firmës në kontratën 170 milionë euroshe, turqit nënkontraktuan për të ndërtuar tunelin e Llogarasë po atë që kishte bërë një ofertë 140 milionë euroshe në tenderin e parë, të cilin e anuluan. Gjoka Construction ishte ajo që ndërtoi të gjithë tunelin dhe bërë të gjithë punën, ndërsa kompania turke sipas asaj që vetë SPAK ka konkluduar në 4 vite deklaruar rreth 24 milionë euro.