Dhurata luksoze në këmbim të favoreve. Ish-zonja e parë e Koresë së Jugut dënohet me burg
Dritare.net

Bashkëshortja e ish-presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, është dënuar me 20 muaj burg pasi u shpall fajtore për pranimin e ryshfeteve nga Kisha e Unifikimit, një organizatë fetare në vend.
Gjykata Qendrore e Distriktit në Seul vendosi se 52-vjeçarja Kim Keon Hee kishte keqpërdorur pozitën e saj për përfitime personale, duke pranuar dhurata luksoze në këmbim të favoreve politike. Sipas prokurorisë speciale, Kim kishte marrë rreth 80 milionë won (afërsisht 60 mijë dollarë), përfshirë një gjerdan diamanti Graff dhe disa çanta Channel, mes prillit dhe korrikut 2022.
Megjithatë, gjykata e shpalli të pafajshme Kim-in për akuzat e manipulimit të çmimeve të aksioneve dhe për marrjen e sondazheve falas të opinionit publik përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022, të cilat u fituan nga bashkëshorti i saj.
Gjykatësi Woo In-sung theksoi se Kim nuk i kishte kërkuar drejtpërdrejt ryshfetet dhe se nuk kishte precedentë penalë të rëndësishëm, duke e dënuar me një dënim më të lehtë nga ai i kërkuar nga prokuroria. Ajo u urdhërua gjithashtu të kthejë 12.85 milionë won në dorë dhe t’i konfiskohet gjerdani me diamant.
Bashkëshorti i saj, ish-presidenti Yoon Suk Yeol, është dënuar tashmë me pesë vite burg për shpërdorim pushteti dhe pengim të drejtësisë lidhur me përpjekjen e dështuar për shpalljen e ligjit ushtarak në vitin 2024.
Ky është rasti i parë në historinë e Koresë së Jugut ku një ish-çift presidencial dënohet penalisht në të njëjtën kohë.
Kim Keon Hee përballet ende me akuza të tjera, përfshirë përfshirjen e dyshuar në rekrutimin e anëtarëve të Kishës së Unifikimit në partinë konservatore të bashkëshortit të saj dhe pranimin e dhuratave në këmbim të emërimeve në poste shtetërore. Këto çështje mbeten ende për t’u shqyrtuar nga gjykata./L.F-dritare.net