
Brenda vagonit ku humbi jetën 23-vjeçarja shqiptare, në Greqi!
Dritare.net
Vagoni B3, karrigia 67, është vendi ku qe ulur 23-vjeçarja shqiptare, Ifigenia Micka, e cila ishte mes viktimave të aksidentit të trenave në Tempi. Trupi i vajzës fatkeqe u identifikua me analizën e ADN-së, ndërsa miqtë dhe të afërmit e kërkonin përmes rrjeteve sociale. Avokati i familjes së saj ka postuar një foto që ka bërë vetë nga brenda vagonit të trenit Intercity 62.
Fotoja e postuar nga zoti Sourlas në profilin e tij në Facebook tregon se sa e ashpër ka qenë përplasja e dy trenave, teksa shihet gjithçka e bërë copë.
Njëkohësisht zoti Sourlas thekson se prindërit e 23-vjeçares Iphigenia kërkojnë që të ndëshkohen përgjegjësit, kushdo qofshin ata, në mënyrë që të përligjet kujtimi i vajzës së tyre, informon dritare.net
Deklarata e Stelios Sourlas në detaje:
“Familja e fatkeqes 23-vjeçare, Iphigenia Micka është e shkatërruar dhe e tronditur nga vdekja e parakohshme e vajzës së tyre. Ajo që ata kërkojnë është që të ndahet faji, të dënohen përgjegjësit, kushdo qofshin ata, që kujtimi i vajzës së tyre të përligjet.”
Më tej ai tha se prej dy ditësh ishte zhdukur 23-vjeçarja, pasi nuk ishte as në listën e të plagosurve dhe as në listën e të vdekurve. "Kjo e përkeqësoi psikologjinë e tyre, ata prisnin një telefonatë, një lajm të mirë se vajza e tyre ishte gjallë. Për fat të keq, kjo telefonatë nuk erdhi kurrë, përkundrazi erdhi ajo që u theu zemrat", nënvizoi z.Sourlas.
23-vjeçarja Iphigenia ishte në tren me të fejuarin e saj, i cili ka marrë djegie nga temperaturat e larta pas zjarrit që kishte rënë pas përplasjes së trenit./K.C/dritare.net

















