Berisha: Unë frikë nga Salianji?! Kam kënaqësi të kem rivalë, por ai nuk është ndër ta
Dritare.net

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në konferencën e sotme për mediat se ish-deputeti Ervin Salianji nuk mund të kandidojë përballë tij për drejtimin e partisë në zgjedhjet që pritet të mbahen në muajin maj.
I pyetur nga gazetarët nëse Salianji do të lejohet të garojë për kreun e ri të partisë, Berisha u shpreh se ai është vetëpërjashtuar nga PD, duke theksuar se ka bërë zgjedhjen e tij politike.
Berisha tha se largimi i Salianjit lidhet me atë që ai e cilësoi si “birësim politik”, duke nënvizuar se kjo nuk është më çështje e tij dhe se ish-deputeti tashmë ka marrë një tjetër drejtim.
Berisha: I vetëpërjashtuari është i vetëpërjashtuar, nuk ndryshon asgjë. Tani, pse e birëson ky apo ai politikisht këtë apo atë, kjo nuk është puna ime. Birësimet kanë ndodhur dhe ndodhin në të gjitha kohërat. I gëzofshin ata që i birësojnë. Kaq është puna. E birësuan. Iku, mori fund.
I pyetur më tej nëse ky qëndrim është një shenjë frike për të pasur Salianjin rival në garën për drejtimin e partisë, Berisha mohoi çdo shqetësim, duke thënë se gjatë gjithë karrierës së tij politike ka pasur rivalë, por sipas tij, në rastin konkret, Salianji ka zgjedhur vetë rrugën e tij.
Pyetje: A është shenjë frike kjo nga ana juaj për të pasur Ervin Salianjin përballë?
Berisha: Kam shumë kënaqësi të kem rivalë dhe në të gjitha kohërat unë kam pasur rivalë. Por kur tjetri birësohet, bën zgjedhjen e tij. Politikisht e kam fjalën. E ka bërë, nuk kam ç’i bëj unë. Për dijeni, meqë jemi këtu. Një ditë më vjen nga burgu në zyrë, se mirë është meqenëse e hapëm bisedën, dhe më thotë, erdha të të marr një mendim. Çfarë mendimi, i them unë. Urdhëro, e prita mirë. Sigurisht, kemi bërë gjithçka për ta cilësuar të burgosur politik dhe e ka merituar plotësisht.
Çfarë mendimi? Tani, thotë, më kanë ngelur tre muaj burg. Për të dalë më takon të dal sipas ligjit, por kërkojnë një deklaratë në të cilën duhet të garantoj se nuk do vras Fatmir Xhafën. Kush ta kërkon këtë? Ma kërkon gjykata dhe drejtoria e burgut. I them unë, po ti je i burgosur politik. Nuk ke punë me Fatmir Xhafën, nuk je zënë, nuk je sharë, nuk je rrahur me Fatmir Xhafën. Meqë më pyet mua, unë të këshilloj që një deklaratë të tillë të mos e bësh se ti merr fajësinë në këtë mes. Të thuash që unë nuk kam ndërmend të vras Fatmir Xhafën, do të thotë se Fatmir Xhafa të burgosi ty se e ke kërcënuar.
Kjo është e vërteta. Natyrisht, ai ishte në burg dhe unë nuk mund të merrja përsipër më shumë se kaq. Këshilla ime është që ju të mos e firmosni se kjo të fajëson dhe ti je i ri në karrierë dhe ke karrierë përpara. Mirë, tha. Iku. Doli, erdhi. Çfarë bëre me atë? Jo, tha, nuk ma kërkuan më. Tani, të tjerat lexojini vetë. Kështu që, nuk është përgjegjësia ime për atë që birësohet politikisht këtu apo aty, apo këndej dhe andej. Ka bërë zgjedhjen e tij.
Deklaratat e Berishës vijnë në një moment kur në Partinë Demokratike po shtohen diskutimet mbi garën për drejtimin e partisë dhe emrat që mund të përfshihen në të. Qëndrimi i tij lë të kuptohet se, sipas Berishës, Ervin Salianji nuk konsiderohet më pjesë e strukturës politike që mund të përfshihet në këtë garë./L.F-dritare.net