Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rezultatet e para/ Meloni humb referendumin për drejtësinë

Rezultatet e para/ Meloni humb referendumin për drejtësinë

Referendumi kushtetues për reformën e drejtësisë në Itali u shoqërua me një pjesëmarrje shumë të lartë, duke u kthyer në një test të rëndësishëm politik për qeverinë e kryeministres Giorgia Meloni. Sipas të dhënave të pjesshme të publikuara pas mbylljes së qendrave të votimit, pjesëmarrja kombëtare është ngjitur në rreth 58.5%-58.9%, shumë më lart se 46.07% që ishte regjistruar deri në orën 23:00 të së dielës.

Sipas exit poll-eve dhe raportimeve të para, kampi i “Jo”-së rezulton në avantazh të ngushtë ndaj “Po”-së, duke rrezikuar të rrëzojë reformën e mbështetur nga Meloni. Reuters raportoi se “Jo” lëvizte në intervalin 49%-53%, ndërsa “Po” mes 47%-51%, çka e bën rezultatin ende të ngushtë, por me epërsi për kundërshtarët e reformës.

Qytetarët italianë u thirrën të votonin për një referendum konfirmues mbi reformën kushtetuese të drejtësisë, e cila parashikonte ndarjen e karrierave mes gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndarjen e organit të vetëqeverisjes së magjistraturës dhe krijimin e një gjykate disiplinore. Duke qenë referendum konfirmues, nuk kishte prag pjesëmarrjeje, por niveli i lartë i votimit i dha rezultatetit një peshë të fortë politike.

Nëse ky trend konfirmohet edhe nga numërimi, referendumi do të konsiderohet një goditje politike për Giorgia Melonin, e cila e kishte mbështetur fort këtë reformë si një nga projektet kryesore të axhendës së saj. Reuters thekson se një fitore e “Jo”-së mund të forcojë opozitën dhe të vështirësojë përpjekjet e ardhshme të mazhorancës për reforma të tjera kushtetuese./L.F-dritare.net