Dritare ju fton të votoni , 22-23 mars në Itali!
Dritare.net

Italia po voton në një nga referendumet më të rëndësishme të viteve të fundit. Në dukje teknik, në thelb politik, ky votim prek drejtpërdrejt sistemin e drejtësisë, por mbi të gjitha është kthyer në një provë për pushtetin e Giorgia Meloni.
Për se është referendumi!
Në datat 22–23 mars, italianët po votojnë për një reformë kushtetuese të drejtësisë.
Nëse miratohet, ajo sjell ndryshime të thella:
• ndarja e plotë e gjyqtarëve nga prokurorët
• krijimi i dy organeve të veçanta për drejtimin e tyre
• përfshirja e shortit (lotarisë) për përzgjedhjen e disa anëtarëve
• ngritja e një gjykate të veçantë disiplinore
Qëllimi, sipas qeverisë, është një drejtësi më e pavarur dhe më efikase.
Pse e kërkon Meloni këtë reformë!
Kryeministrja Giorgia Meloni e ka bërë këtë reformë një nga shtyllat e saj kryesore.
Sipas saj drejtësia italiane është e ngadaltë dhe e politizuar, prokurorët kanë shumë pushtet dhe sistemi aktual krijon “grupe ndikimi” brenda vetes.
Mesazhi i saj është i qartë: “Italia ka nevojë për një drejtësi më të drejtë dhe më të kontrollueshme nga rregullat, jo nga grupet.”
Pse kundërshtohet fort?
Opozita dhe një pjesë e madhe e sistemit të drejtësisë janë kundër.
Ata paralajmërojnl; rrezik për ndërhyrje politike në drejtësi, dobësim të pavarësisë së prokurorëve dhe një sistem më pak meritokratik për shkak të shortit.
Debati është i fortë dhe thelbësor: reformë për drejtësi më të mirë, apo kontroll i drejtësisë nga politika?
Sa shanse ka të fitojë?
Gara është e hapur. Sondazhet japin një avantazh të lehtë për “PO”, por në ditët e fundit “JO” është afruar shumë. Praktikisht: 50 me 50.
Faktori vendimtar është pjesëmarrja: pjesëmarrje e ulët që favorizon “JO”-në.
Pjesëmarrje e lartë, favorizon garën e hapur.
Test politik për Melonin
Edhe pse teknikisht është referendum për drejtësinë, në realitet është kthyer në një test për qeverinë e Giorgia Meloni. Opozita e ka shndërruar në një votë kundër saj, ndërsa mbështetësit e shohin si një reformë të domosdoshme.
A do të japë dorëheqjen nëse humbet?
Jo. Giorgia Meloni ka qenë e qartë. Nuk e ka lidhur rezultatin e referendumit me dorëheqjen e saj. Kjo është një zgjedhje e vetëdijshme politike.
Ndryshe nga liderë të tjerë italianë në të kaluarën, ajo po përpiqet të shmangë kthimin e referendumit në krizë qeveritare dhe të mbajë stabilitetin e qeverisë, edhe në rast humbjeje
Ky referendum është për drejtësinë italiane, por në thelb është një betejë për balancën e pushtetit dhe të ardhmen politike të Italisë.
Pse ka rëndësi edhe për Shqipërinë?
Italia është partnere kyçe për Shqipërinë, ekonomikisht, në emigracion, në politikë dhe integrimin evropian
Çdo ndryshim në sistemin e saj ndikon drejtpërdrejt edhe tek ne.
Dritare Tv fton ndjekësit tanë të shumtë në Itali; Votoni, votoni, votoni në këtë referendum!/dritare.net