BE: Shqipëria ka bërë përparim në sigurinë ushqimore, por duhen përmbushur kushtet
Dritare.net
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, deklaroi se Shqipëria ka shënuar përparim në fushën e sigurisë ushqimore, por theksoi se procesi i integrimit kërkon përmbushjen e 6 kushteve kyçe për mbylljen e kapitullit 12 të negociatave me BE.
Deklaratat u bënë gjatë një takimi të organizuar nga qeveria shqiptare me operatorë të biznesit mbi sigurinë ushqimore, ku Gonzato vuri në dukje rëndësinë e harmonizimit me standardet e Bashkimit Europian.
“Siguria ushqimore nuk është vetëm një kërkesë teknike, por një e mirë publike themelore që u përket të gjithë qytetarëve,” u shpreh ai, duke theksuar se kjo fushë mbron konsumatorët dhe garanton konkurrencë të ndershme në treg.
Sipas tij, Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të negociatave, ku progresi nuk matet më vetëm me miratimin e ligjeve, por me funksionimin real të sistemeve, laboratorëve të akredituar dhe përputhjen e operatorëve ushqimorë me standardet e BE-së.
Gonzato theksoi gjithashtu rëndësinë e kategorizimit të operatorëve të biznesit ushqimor, duke e cilësuar atë si një element thelbësor për identifikimin e subjekteve që përmbushin ose duhet të përmirësojnë standardet.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua sektorit të qumështit, ku sipas tij, gjetjet e auditimeve tregojnë nevojën për përmirësim të cilësisë së qumështit të papërpunuar, si parakusht për akses në tregun europian.
“Harmonizimi me standardet e BE-së hap derën për një nga tregjet më të mëdha në botë dhe rrit mundësitë për eksporte,” u shpreh ambasadori, duke shtuar se kjo kërkon investime në higjienë, pajisje dhe gjurmueshmëri të produkteve.
Ai njoftoi gjithashtu se Bashkimi Europian ka mbështetur Shqipërinë me 12.5 milionë euro përmes një projekti të dedikuar për sigurinë ushqimore, duke e cilësuar integrimin një përpjekje të përbashkët.
Në përfundim, Gonzato theksoi se përmbushja e 6 kushteve për mbylljen e kapitullit 12 do të kërkojë angazhim të vazhdueshëm politik dhe lidership të fortë institucional nga pala shqiptare./L.F-dritare/net