
Banka e Shqipërisë e mban normën bazë 2.75%. Guvernatori Sejko: Ekonomia në rritje
Dritare.net
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.75%. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se inflacioni i çmimeve të konsumit qëndroi i pandryshuar, në nivelin 2.0%, në tremujorin e katërt të vitit 2024.
“Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit. Në këtë kontekst, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit. Rritja e ekonomisë është shoqëruar me rritje të punësimit, të pagave dhe të vëllimit të shitjeve të biznesit, duke gjeneruar më shumë të ardhura për bizneset e familjet shqiptare. Në të njëjtën kohë, nivelet e ulëta të inflacionit kanë rritur fuqinë blerëse të këtyre të ardhurave dhe kanë incentivuar investimet e sektorit privat. Krahas këtyre faktorëve, zgjerimi i aktivitetit është mbështetur edhe nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, besimi i konsumatorit dhe biznesit për të ardhmen, si dhe nga ambienti stimulues financiar. Aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, i nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të turizmit. Paralelisht me të, edhe punësimi e pagat pritet të vijnë në rritje, duke rritur mirëqenien e familjeve. Rritja e ekonomisë pritet të mbetet e qëndrueshme dhe pranë potencialit, çka do të mundësojë një nivel presionesh të brendshme inflacioniste në linjë me objektivin,” tha Sejko./K.C/dritare.net

















