Balliu thumbon Berishën: Nuk mund të gjykosh marrëdhëniet e Ramës me SHBA-në kur vetë nuk shkon dot atje
Dritare.net

Avokatja dhe aktivistja politike Alesia Balliu, e ftuar në emisionin “Intervista e Ditës” në DritareTV, ka komentuar zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, duke u ndalur veçanërisht te foltorja e Sali Berishës, përjashtimet e deputetëve nga Parlamenti dhe roli i Ervin Salianjit në opozitë.
Sipas Balliut, pjesëmarrja në protestat e Berishës nuk ka më rëndësi politike, pasi ai nuk përfaqëson më një faktor real vendimmarrës. “Berisha sot po mban peng Partinë Demokratike. Nuk ka rëndësi nëse në protestë janë 200 apo 3 mijë persona, sepse nuk prodhojnë ndryshim dhe nuk sjellin fitore”, u shpreh ajo.
Balliu theksoi se Partia Demokratike është e izoluar ndërkombëtarisht për shkak të lidershipit aktual, duke nënvizuar se prej kohësh asnjë ambasador amerikan nuk ka shkelur në selinë blu. Sipas saj, pa një raport funksional me aleatët ndërkombëtarë, PD nuk mund të ketë të ardhme politike.
Duke folur për foltoren e Ervin Salianjit, Balliu tha se ajo përfaqëson një alternativë të re dhe shpresë për demokratët, ndryshe nga ajo e Berishës, e cila sipas saj mbështetet kryesisht nga figura të vjetra dhe rrogëtarë politikë. “Salianji nuk po përçan Partinë Demokratike, përkundrazi po e bashkon dhe po kërkon ta bëjë forcë fituese”, tha ajo.
Lidhur me përjashtimin e deputetëve demokratë nga Parlamenti për 30 ditë, Balliu u shpreh se kjo situatë i shërben drejtpërdrejt qeverisë, pasi opozita ka dalë nga rruga institucionale dhe ka humbur të drejtën për debat dhe përballje parlamentare.
Ajo akuzoi lidershipin e PD-së për standarde të dyfishta, duke përmendur raste konkrete të figurave që sipas saj janë shpërblyer me mandate pavarësisht lidhjeve apo akuzave për bashkëpunim me krimin e organizuar, ndërsa zëra kritikë si Saliani janë sulmuar dhe përjashtuar politikisht.
Sa i përket protestave të forcave të reja opozitare, Balliu u shpreh se çdo protestë që bëhet për drejtësinë, kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet përshëndetur, pavarësisht ngjyrës politike. Ajo vlerësoi qëndrueshmërinë e Adriatik Lapajt dhe protestat e Arlind Qorit, duke theksuar se opozita ka nevojë për vazhdimësi dhe jo për protesta simbolike.
Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme brenda Partisë Demokratike, Balliu tha se shpresa ekziston, por vetëm nëse PD shkëputet nga e kaluara dhe i hap rrugë riformimit me garë, meritë dhe votë. “Berisha është drejtues deri në prill. Statuti e detyron të japë dorëheqjen dhe të mos rigarojë. Çdo tentativë për të qëndruar në krye është një ditë e zezë për demokratët”, deklaroi ajo.
Duke komentuar ftesën e kryeministrit Edi Rama nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Balliu u shpreh se opozita u përfshi në një debat të panevojshëm dhe qesharak. “Nuk mund të gjykosh marrëdhëniet e Ramës me SHBA-në, kur vetë nuk mund të shkosh në SHBA. Ndryshimi fillon nga vetja”, tha ajo./K.C/dritare.net