Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vritet në burgun grek shqiptari i shumëkërkuar, Jani Aliaj

Vritet në burgun grek shqiptari i shumëkërkuar, Jani Aliaj

Një ngjarje e rëndë është shënuar brenda burgut të sigurisë së lartë Korydallos në Greqi, ku i burgosuri shqiptar Jani Aliaj është vrarë me thikë nga një i dënuar grek.

Sipas mediave greke, Aliaj ka pësuar plagë të rënda nga goditjet me mjet prerës dhe nuk ka mundur t’u mbijetojë, pavarësisht ndërhyrjes mjekësore. Rrethanat e konfliktit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe dinamikën e ngjarjes. Pas incidentit, në burg është rritur niveli i sigurisë dhe janë marrë në pyetje disa të burgosur.

Kush ishte Jani Aliaj!

Jani Aliaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiços, ngjarje e ndodhur më 1 maj 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Aliaj hyri i maskuar me paruke në lokalin “De Niro” pranë stadiumit “Selman Stërmasi” dhe qëlloi për vdekje Çiçon në tavolinën ku ndodhej me persona të tjerë.

Pas atentatit, Aliaj u largua nga vendngjarja dhe u shpall në kërkim për vrasje për hakmarrje. Në lidhje me këtë çështje, në vitin 2017, Renato Milloshi u dënua me 8 muaj burg nga Gjykata e Tiranës për veprën penale të moskallëzimit të krimit.

Në maj të vitit 2018, Gjykata e Tiranës e dënoi Jani Aliajn në mungesë me burgim të përjetshëm si autor i vrasjes së Elton Çiços. Ndërsa më 9 qershor 2023, Apeli i GJKKO la në fuqi vendimin për konfiskimin e 7 pasurive në emër të familjarëve të tij, përfshirë katër njësi tregtare, një ullishte dhe një vilë në Borsh, të cilat kaluan në pronësi të shtetit.

Aliaj dhe Çiço ishin me origjinë nga Tepelena dhe kishin qenë miq. Armiqësia mes tyre kishte nisur pas një vrasjeje të ndodhur në vitin 2000, kur Jani Aliaj vrau me thikë E. Ballazhiun në fshatin Zhabakin. Viktima, 20 vjeç në atë kohë, ishte shok fëmijërie i Elton Çiços./K.C/dritare.net