
Atletja shqiptare humb jetën në Irlandë, u përplas nga makina teksa vraponte
Dritare.net
Një shqiptare humbi jetën, pasi u përplas nga një makinë, ndërsa ishte duke vrapuar me dy shoqet e saj, në fundjavë, në zonën Tralee, Co Kerry. Ajo është 48-vjeçarja Anila Mucaj nënë e dy fëmijëve.
Zonja Mucaj dhe dy shoqet e saj po vraponin të dielën në mëngjes përgjatë një rruge, të drejtë, por të ngushtë që të çon nga Tralee në urën Blennerville, një rrugë e njohur për vrapim, çiklizëm dhe ecje, kur ndodhi përplasja. Mucaj mori plagë të rënda nga përplasja, dhe ndërroi jetë rrugës për në spital, ndërsa dy shoqet e saj shpëtuan me lëndime të lehta.
Zonja Mucaj ishte anëtare e klubit Born to Run në Tralee dhe ishte një atlete e apasionuar, pasi kishte marrë pjesë në disa maratona vitet e fundit.
Një postim në rrjetet sociale të klubit thoshte: “Sot kemi mbetur të shkatërruar nga lajmi tragjik se bukuroshja jonë, shoqja jonë e mirë Anila ka ndërruar jetë pas një përplasjeje në rrugë. Mendimet tona janë me bashkëshortin dhe dy djemtë e saj të bukur dhe me gjithë familjen e Anilës.”
Kryetari i Bashkisë së Tralee, Mikey Sheehy (FF) në takimin e mëngjesit të së hënës të Qarkut Komunal të Tralee tha se vdekja e Anilës një mëngjes të bukur të së dielës ishte "një tronditje e madhe" për qytetin./K.C/dritare.net

















