
Arrigo Cipriani 92-vjeç. Sekreti: Mos ha darkë, pak karate dhe shumë dashuri!
Dritare.net
Gjatë ditëve të Bienales, Harry's Bar ngjan si një sallë vallëzimi. Kamerierët vrapojnë mes tavolinave me mbulesa prej liri, ku ulen aristokratë dhe miliarderë.
Një zotëri i moshuar hyn i vetëm, me pantallona të gjata, të holla, xhaketë blu, papijon dhe bastun të kuq.
Arrigo Cipriani ha çdo ditë drekën në këtë restorant. Nesër ai bën 92 vjeç dhe në një intervistë për Corriere della Sera flet për moshën e tij, dashurinë në të 90-tat, cfarë e mban në formë, por edhe bisedë përtej tij. Si i shikon ai të rinjtë, politikën, rrjetet sociale.
Një intervistë që duhet lexuar!
Cipriani, si mund ta arrish moshën 92 vjeç?
Të mos hash darkë dhe të bësh çerek ore karate në ditë.
Karate?
Po, është një gjimnastikë e brendshme. Të lëviz gjithë trupin. As gishtin e vogël të dorës së djathtë, nuk lë pa lëvizur.
Eh, sipas meje karateja nuk mjafton.
Dashuria është e nevojshme.
Keni rënë në dashuri?
Unë jam marrëzisht i dashuruar me një grua të vecantë.
Sa vjeç është gruaja me të cilën jeni dashuruar marrëzisht?
52.
Dyzet vjet më e ri se ju!
Dhe çfarë rëndësie ka kjo?
Si jeni njohur?
Rastesisht. Pesë vjet më parë ishim ulur bashkë në një festë, ku nuk kisha qenë kurrë. Zbuluam se të dy vinim nga Venecia dhe se flisnim të njëjtën gjuhë.
Ishte dashuri me shikim të parë?
Nuk besoj në dashuri me shikim të parë. Dashuria rritet përditë pak e nga pak. Ne kujdesemi për njëri-tjetrin. Ajo ka dy diploma me rezultate shumë të larta. Tani punon në kompaninë tonë dhe e thuajse e ka rindërtuar.
Çfarë po shkonte keq në kompani?
“Pas festës së ditëlindjes sime të tetëdhjetë, mendova se nuk isha më produktiv dhe ia kisha besuar veten njerëzve të gabuar. Ajo e shpëtoi kompaninë, pa bërë asgjë të veçantë, thjeshtë me kujdes dhe integritet. Më kujton atë që filozofja hungareze Heller u tha dikur studentëve të saj: “Ju po studioni shumë lëndë të kota: filozofi, latinishten e lashtë dhe greqishten, matematikën. Sidoqoftë, do të shihni se këto lëndë të padobishme do t'ju ndihmojnë shumë t’i bëni ato të dobishme. Ajo është një grua e jashtëzakonshme, jam e lumtur me të dhe kam harruar moshën time”.
Si është dashuria në moshën 90-vjeçare?
Unë jam ende po aq i fortë sa kam qenë. Urologu që më operoi për prostatë kur isha pesëdhjetë vjeç më tha: fituam dhjetë vjet. Ai e kishte gabim: kishim fituar gjysmë shekulli.
Për ju që keni kaluar dekadën e vdekjes, mes të 80-ave dhe 90-tave, askush nuk mund t'ju ndalojë më.
Ata duan t'u heqin lejen e drejtimit 90-vjeçarëve. Kjo është një padrejtësi. Një ditë më ndaluan ndërsa unë po ecja me 200 në orë.
Nuk duhet të ecni kaq shpejt.
Po, por makina ime arrin deri në 300 km/h. Më thanë: duhet ta sekuestrojmë makinën dhe të heqim patentën; të paktën ecni më ngadalë.
Çfarë thotë trashëgimtari i perandorisë Cipriani, djali juaj Giuseppe, për dashurinë tuaj të re?
Është i lumtur. I detyrohem gjithçka babait tim Giuseppe, themeluesit dhe djalit tim, i cili e zgjeroi grupin në të gjithë botën. Vetëm në Nju Jork kemi tre mijë punonjës.
Ju ishit edhe në burg bashkë.
Pesë orë në dhomën e sigurisë, me pranga në gjyq për çështje tatimore, me të cilat në Amerikë nuk bëjnë shaka. Prokurori i Përgjithshëm kërkoi falje. Giuseppe u përgjigj: Unë të falënderoj, nuk kam kaluar kurrë kaq shumë kohë vetëm me babain në jetën time.
Unë e pashë Xhuzepen gjatë Kupës së Botës në restorantin tuaj në Doha: ai ishte duke shërbyer produktet e detit në një tavolinë.
Për ta ngritur punën në restorantin e Nju Jorkut në Fifth Avenue ne punuam bashkë gjashtëmbëdhjetë orë në ditë për katër muaj. Të gjithë miliarderët nga Manhatani erdhën në inaugurim me femra të bukura; nuk dukeshin si prostituta, por ndoshta ishin; dhe nuk doja të kisha një vend të tillë. Një ditë një tutor erdhi për drekë. Në dalje e ndoqa për tre kilometra në Fifth Avenue. Më në fund ai u ndaloi dhe unë e paralajmërova:
“Kam katër muaj që punoj gjashtëmbëdhjetë orë në ditë për lokalin tim; Nëse vjen sërish, do të të vras”. Ai nuk u shfaq më kurrë.
Nëse të përkufizoj si njeri të djathtë dhe antifashist, a kam të drejtë?
Po. Unë jam një liberal i vërtetë, ndaj nuk e duroj dot fashizmin; dhe jo vetëm sepse ka përndjekur babanë tim.
Si e kujtoni 25 Prillin?
Amfibët e Zelandës së Re mbërritën. Qyteti shpërtheu nga liria. Njerëzit përqafuan njëri-tjetrin, qeshën, kënduan, kërcyen. Ishte e mrekullueshme.
Megjithatë, ju thatë se arsyeja e vërtetë pse e urreni fashizmin është një tjetër. Çfarë?
Marrëzia.
Si e shikoni Melonin?
E zonja, po rritet, ajo mund të bëhet një udhëheqëse e rëndësishme politike.
Cili është mendimi juaj për Berluskonin?
Më pëlqeu Berluskoni i viteve të fundit: i moderuar, pro-evropian; Ai la një kujtim të bukur. Një ndjekës i lirisë.
Po të rinjtë sot, si i shikon?
Nuk lexojnë. I sheh kudo kokëulur mbi telefon.
Po mediet sociale?
Mediet sociale i kanë dhënë hapësirë budallenjve. Përcjellin idenë se zhurma e kotë, rrëmuja dhe morali i ulët janë normale dhe kjo po kërcënon të ardhmen e njerëzimit.
Vazhdoni të mendoni se kuzhinierët me yje, nuk vlejnë?
Ato do të zhduken vetë, si dinozaurët.
Pse?
Sepse prodhojnë shije artificiale, të cilat ju nuk i njihni, nuk i mbani mend dhe nuk lidheni me to. Dhe pastaj ata duan t'ju detyrojnë të hani atë që ata vendosin. Merr menynë dhe ndihesh sikur shefi i kuzhinës po të shikon. Ndihesh nën vëzhgim: nuk je ti që e gjykon; është ai që ju gjykon”.
Si e shihni Venedikun sot?
Unë nuk kam frikë nga uji. Venecia është ujë. Baticat hyjnë dhe dalin. Harry's Bar është një nga pikat më të ulëta në qytet; një ditë pas përmbytjes, ne ishim të hapur. Por sekreti i Venecias është një tjetër.
Cili është?
Venecia ka një shpirt të lirë; por për të ndërtuar Bazilikën e San Markos duhej një forcë e madhe shpirtërore. E ndërtuan pa përllogaritje, pa e pyetur veten se sa do të kushtonte.
Si është kryebashkiaku Brugnaro?
Ai është nga Mogliano. Ai di pak për Venedikun, nuk e kupton, nuk e ndjen.
Kush mund të jetë në vend të tij? Zaia?
Zaia duhet të rinisë Ligën pas Salvinit.
Si ju duket Papa Françesku?
“Populist. Si Gjon Pali II, i cili ishte gjithmonë në TV. Më inteligjenti ishte Ratzinger”.
Çfarë ka në jetën e përtejme?
Asgjë. Unë nuk besoj në Zot vdekja është si qetësimi para gastroskopisë. Por kjo i bën vitet në vazhdim edhe më emocionuese./L.F-dritare.net

















