Arben Çuko: Investimet amerikane janë garanci reale sigurie për Shqipërinë
Dritare.net

I ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, eksperti i sigurisë Arben Çuko vlerësoi si një zhvillim tepër të rëndësishëm vizitën e Ivanka Trump në Zvërnec dhe interesin amerikan për investime strategjike në Shqipëri, duke theksuar se prania ekonomike e SHBA-së përbën një faktor kyç për sigurinë kombëtare.
Sipas Çukos, ndonëse Shqipëria mbetet e angazhuar fuqishëm në Aleancën e Atlantikut të Veriut, strategjia ushtarake funksionon gjithmonë duke marrë në konsideratë skenarin më të keq. “Shpresojmë dhe duam që NATO të mbetet e bashkuar ashtu siç është. Megjithatë, në strategjinë ushtarake gjithmonë punohet me skenarin më të keq. Edhe me një analizë të thjeshtë, prania e interesave amerikane në terren përbën një faktor shumë të fortë sigurie”, u shpreh ai.
Eksperti i sigurisë rikujtoi rolin historik të Shteteve të Bashkuara në raport me kombin shqiptar, duke e cilësuar SHBA-në si aleatin kryesor strategjik. “Amerikanët kanë qenë shpëtimtarët e kombit tonë. Ata e futën Shqipërinë në NATO, çliruan Kosovën dhe vazhdojnë ta mbrojnë edhe sot”, tha Çuko, duke shtuar se përveç interesave gjeopolitike dhe gjeostrategjike, ekziston edhe një dimension njerëzor në këtë marrëdhënie. Sipas tij, fakti që mbi 90 për qind e shqiptarëve janë proamerikanë ka peshë të veçantë në një Ballkan të mbushur me tensione dhe armiqësi historike.
Duke analizuar arsyet e kësaj aleance të fortë, Çuko i përmblodhi ato në tre shtylla kryesore: gjeopolitikën dhe gjeostrategjinë, faktorin njerëzor dhe interesin ekonomik. “Një investim amerikan prej rreth 1 miliard eurosh, që sipas meje është vetëm fillimi, krijon interesa afatgjata dhe të qëndrueshme”, theksoi ai.
Në lidhje me ishullin e Sazanit, eksperti i sigurisë sqaroi se territori mbetet plotësisht shqiptar. “Sazani mbetet pronë shqiptare. Nuk ka më bunkerë, do të ketë vila, por territori është i yni. Çdo president amerikan, sot apo pas 10–20 vitesh, është i detyruar të mbrojë interesat ekonomike të vendit të vet kudo në botë. Kjo e rrit ndjeshëm sigurinë tonë kombëtare”, u shpreh Çuko, duke i cilësuar si të pabaza skenarët dhe zhurmat politike që kanë shoqëruar këtë çështje.
Ai nënvizoi se SHBA-ja ka pasur gjithmonë interesa strategjike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, por tashmë këtyre u shtohen edhe interesat ekonomike, gjë që forcon më tej praninë amerikane në rajon.
Duke folur në plan më të gjerë, Çuko theksoi se luftërat në historinë moderne, me përjashtim të atyre çlirimtare, kanë qenë kryesisht për territor dhe pasuri, ndërsa ideologjitë apo fetë shpesh janë përdorur vetëm si mbulesë.
Vizitën e Ivanka Trump në Zvërnec ai e cilësoi si një zhvillim shumë pozitiv për vendin. “Për vite me radhë kemi thënë se amerikanët nuk investojnë në Shqipëri, dhe ja ku po ndodh e kundërta”, deklaroi Çuko, duke shtuar se dallimi mes investitorëve tradicionalë dhe një investitori amerikan është i madh.
Sipas tij, hyrja e kapitalit amerikan do të sjellë pasoja zinxhir: investime më të mëdha, linja prodhimi dhe shpërndarjeje. Në përfundim, Çuko theksoi se këto zhvillime do të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në rritjen e fuqisë kombëtare. “Fuqia kombëtare nuk është vetëm ushtria; baza e saj është ekonomia, më pas vijnë diplomacia dhe fuqia ushtarake. Me rritjen e ekonomisë shqiptare duhet të rritet edhe pesha jonë politike”, tha ai, duke nënvizuar se respekti ndërkombëtar fitohet përmes forcës ekonomike. “Të varfërin dhe të dobëtin nuk e respekton askush."/K.C/dritare.net