Trump për Groenlandën: Nëse do përdorja forcë, do ishim të pandalshëm!
Dritare.net

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë negociata të menjëhershme për të blerë Groenlandën, duke argumentuar se vetëm SHBA mund ta mbrojë dhe zhvillojë këtë territor strategjik.
“Po kërkoj negociata të menjëhershme për të blerë Groenlandën”, u shpreh Trump, duke shtuar se presidentët amerikanë kanë tentuar ta blejnë ishullin prej gati dy shekujsh. Sipas tij, nuk ka “asnjë shenjë reale” të pranisë së Danimarkës në Groenlandë dhe Kopenhaga, siç tha ai, po shpenzon më pak sesa është zotuar për ishullin.
Trump theksoi se SHBA-ja është e vetmja fuqi që mund ta mbrojë Groenlandën, të cilën e përshkroi si “një masë gjigante toke dhe akulli”, duke shtuar se Uashingtoni mund ta zhvillojë dhe përmirësojë atë.
Duke iu përgjigjur kritikëve, Trump këmbënguli se nuk ka asnjë synim për përdorim force. “Nuk kam pse të përdor forcë, nuk dua të përdor forcë dhe nuk do të përdor forcë”, tha ai, edhe pse shtoi se SHBA do të ishte “e pandalshme” nëse do ta bënte këtë.
Presidenti amerikan foli edhe për NATO-n, duke vlerësuar rritjen e investimeve në mbrojtje, por shprehu dyshime nëse aleatët do t’ia kthenin të njëjtën mbështetje SHBA-së. “Ne do të jemi 100% me NATO-n, por nuk jam i sigurt nëse ata do të jenë 100% me ne”, u shpreh Trump.
Ai preku gjithashtu luftën në Ukrainë, duke deklaruar se NATO dhe SHBA do të ndihmojnë për t’i dhënë fund konfliktit. Sipas tij, si presidenti rus Vladimir Putin ashtu edhe ai ukrainas Volodymyr Zelensky “duan të bëjnë një marrëveshje”, pasi “shumë njerëz po vdesin pa nevojë”.
Trump e cilësoi kërkesën për Groenlandën si një “kërkesë të vogël”, krahasuar me ndihmën dhe kontributin që SHBA, sipas tij, i ka dhënë Evropës dhe NATO-s ndër vite./K.C/dritare.net