Trump kritikon Macron-in për çmimet e ilaçeve, Parisi i përgjigjet: Fake news
Dritare.net

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka hapur një debat të fortë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke akuzuar Francën dhe presidentin Emmanuel Macron se përfitojnë nga çmimet e ulëta të ilaçeve në Evropë në kurriz të konsumatorëve amerikanë.
Gjatë fjalimit të tij, Trump deklaroi se kishte diskutuar personalisht me Macron për çmimet e barnave dhe pretendoi se i kishte kërkuar Francës që t’i rrisë ato. Ai tha se një pilulë që në Evropë kushton rreth 10 dollarë, në Shtetet e Bashkuara shitet deri në 100 dollarë ose më shumë, duke e cilësuar këtë si një praktikë të padrejtë ndaj SHBA-së.
Trump shkoi më tej duke pohuar se kishte përdorur kërcënime me tarifa tregtare për të ushtruar presion ndaj Francës dhe se Macron kishte pranuar të rishikonte çmimet e ilaçeve. Deklaratat u shoqëruan edhe me tone ironike dhe tallëse ndaj presidentit francez, çka i dha çështjes një dimension politik dhe diplomatik.
Menjëherë pas fjalimit të Trump, Pallati Presidencial i Francës (Élysée) reagoi ashpër, duke i hedhur poshtë pretendimet si “fake news”.
Sipas zyrës së Macronit, çmimet e ilaçeve në Francë nuk vendosen nga presidenti, por nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe autoritetet përkatëse shëndetësore. Reagimi zyrtar thekson se nuk ka pasur asnjë rritje çmimesh të barnave si rezultat i presionit amerikan, duke përgënjeshtruar drejtpërdrejt deklaratat e Trump.
Autoritetet franceze sqaruan gjithashtu se modeli evropian i kontrollit të çmimeve të ilaçeve synon të garantojë akses të barabartë dhe të përballueshëm për pacientët, ndryshe nga sistemi amerikan, ku çmimet përcaktohen kryesisht nga tregu./K.C/dritare.net