
Analiza e UNFPA-së në Shqipëri/Moshimi pritet të arrijë 24% në vitin 2035
Dritare.net
Shqipëria po përjeton një situatë të re demografike, është rritur jetëgjatësia rrjedhimisht dhe moshimi dhe në anën tjetër është ulur lindshmëria dhe të rinjtë emigrojnë. Këta faktorë e bëjnë Shqipërinë të humbas rreth një të tretën e popullatës së saj. Statistikat krahasimore in referohen vitit 1989 me atë të vitit 2019. Për mënyrën se si ka ndryshuar demografi në këto dekada, UNPFA në Shqipëri realizoi një analizë të thelluar për sfidat sociale dhe shëndetësore të Shekullit XXI.
Analiza e UNFPA në Shqipëri jep të dhëna të rëndësishme për tendencën demografike të këtij shekullit ku sipas gjetjeve; Shqipëria ka një jetëgjatësi prej 80.6 vjeç për gratë dhe 77.4 vjeç për burrat. Jetëgjatësia mesatare për gratë është më e larta mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa jetëgjatësinë për burrat në vendet e Ballkanit Perendimor renditet e dyta, pas Kroacisë. Në 2020 popullata mbi 65 vjeç është 14.7% dhe sipas projeksioneve demografike moshimi pritet të arrijë 24% në vitin 2035. Referuar këtyre gjetjeve, të dhënat tregojnë se niveli i fertilitetit është ndër më të ulëtit në Europë; 1.37 fëmijë për grua në moshë riprodhimi në vitin 2018.
Moshimi në fakt do të ketë koston sociale dhe ekonomike në portofolin e familjes dhe në buxhetin e shtetit ndaj politikat sociale dhe shëndetësore duhen adresuar në mënyrë objektive.
Analiza e thelluar “Sfidat demografike dhe shëndetësore të Shqipërisë në Shekullin e XXI” u hartua nga një grup ekspertësh në fushat e demografisë dhe shëndetit publik.
Raporti nxjerr në pah sfidat më emergjente të Shqipërisë, si edhe tenton të japë rekomandime mbi hartimin dhe zbatimin e disa politikave të integruara gjithëpërfshirëse si një mënyrë për t’u përballur me këto sfida, politika jo vetëm për shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve, por edhe për nënat e tyre.
Dr. Arjan Gjonca, Ekspert i Demografisë në London School of Economics, një nga autorët e analizës gjatë konferencës online të prezantimit të gjetjeve e vuri theksin në nevojën që ka vendi për të ndihmuar të rinjtë përmes politikave lehtësuese me qëllim si aseti më i rëndësishëm i shoqërisë të mos iki jashtë vendit por të jap kontributin këtu. Gjithashtu Dr.Gjonca thekson se fokusi tek të moshuarit duhet të përbëjë një agjendë të re për kujdesin shëndetësor dhe social.
Raporti nuk le më pas vëmendjen ndaj të drejtave të njeriut dhe të drejtave të shëndetit riprodhues. Duke adresuar rregullimin e abortit, ndalimin e abortit për shkak të gjinisë, si edhe duke fuqizuar gruan për të marrë vendime vetë, ky raport nënvizon rëndësinë e të drejtave të shëndetit riprodhues si pjesë e të drejtave të njeriut.
Dr. Genc Burazeri, Ekspert i Shëndetit Publik një tjetër autor i këtij raporti sugjeron qeverinë për rritje të qëndrueshme të financimit në sektorin shëndetësor si parakusht themelor për të garantuar mbulesë shëndetësore universale.
Fakt është që raporti do të ndihmoj politikbërjen të adresojë më mirë investimet dhe ndërhyjet në sistemin shëndetësor në të ardhshme.
“UNFPA në Shqipëri shpreson që kjo analizë e thelluar do të shërbejë si një bazë për sektorin publik shtetëror dhe atë joqeveritar për të përmirësuar më tej politikat që lidhen me shëndetin dhe demografinë e popullit shqiptar.”, - u shpreh Elsona Agolli, Analiste Programi për Çështjet Gjinore dhe Popullsinë në zyrën e UNFPA në Shqipëri. Në përfundim të prezantimit të kësaj analize të thelluar, bazuar mbi gjetjet UNFPA në Shqipëri bëri dhe disa sugjerime për qeverinë shqiptare. Për shëndetin e fëmijës dhe nënës UNFPA në Shqipëri sugjeron që investimi të mos mbetet vetëm në përmiresimin e cilësisë së shërbimeve në maternitete, përfshirë pajisjet dhe personelin, të cilat janë të rëndësishme për të shpëtuar jetët e foshnjave të sapolindura, por fokusi duhet të përfshijë edhe kujdesin për nënat gjatë shtatëzanisë, çka është thelbësore për mbrojtjen e shëndetit si të nënës, ashtu edhe të foshnjes.
Përsa i takon të moshuarve UNFPA në Shqipëri rekomandon rritjen e kujdesit shëndetësor dhe atë social për të moshuarit. Me qëllim që sa më shpejt të arrihet kjo, aq më shumë vite jete do të shpëtohen dhe aq më e lartë do të jetë cilësia e jetës së të moshuarve në shoqërinë shqiptare.
Një tjetër moment me rëndësi lidhur me shëndetin e të moshuarve është ndjekja e qasjeve të balancuara mes trajtimit dhe parandalimit të sëmundjeve kronike, duke ruajtur një prioritet për parandalimin në kushtet e burimeve të kufizuara në sistemin shëndetesor. Ndërsa për kujdesin shëndetësor dhe mbulimin universal UNFPA në Shqipëri thotë se duhen më shumë më tepër financime për përballimin e ndryshimeve në popullatë që lidhen me tranzicionin epidemiologjik dhe pritshmëritë në rritje të qytetarëve për shërbime më cilësore shëndetësore./dritare.net

















