Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Aksion i BKH dhe Policisë në Tiranë: Goditet rrjet call centerash që dyshohet se ka mashtruar qytetarë të BE-së

Aksion i BKH dhe Policisë në Tiranë: Goditet rrjet call centerash

Prej ditës së djeshme në Tiranë po vijon një aksion i gjerë i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Policisë së Shtetit, në kuadër të hetimeve për goditjen e një rrjeti call centerash, të dyshuar për mashtrime financiare në shkallë të gjerë ndaj qytetarëve të Bashkimit Evropian.

Sipas burimeve zyrtare, hetimet po zhvillohen nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane, ndërsa dyshohet se përmes kësaj skeme janë zhvatur dhjetëra miliona euro. Gjatë kontrolleve të kryera në disa ambiente në kryeqytet, janë sekuestruar kompjuterë, pajisje elektronike dhe portofole kriptomonedhash, të cilat mendohet se janë përdorur për transferimin dhe fshehjen e parave të përfituara nga mashtrimi.

Hetimet në territorin shqiptar po ndiqen nga prokurori i SPAK, Ened Nakuci, së bashku me një prokuror të huaj. Sipas të dhënave paraprake, grupi kriminal përdorte një skemë të mirëorganizuar për të humbur gjurmët, duke ndërruar vazhdimisht ambientet me qira ku ushtronin aktivitetin e paligjshëm.

Një nga indiciet kryesore për nisjen e hetimeve ka qenë edhe një investigim i emisionit italian “Le Iene”, ekipi i të cilit ishte i pranishëm në Tiranë gjatë zhvillimit të aksionit. Gazetarët italianë kishin infiltruar një person si operator në një call center që ndodhej në katin e 13-të të kullës “4Ever Green Tower”, pranë Gjykatës së Lartë. Megjithatë, në momentin e ndërhyrjes së BKH-së dhe policisë, aktiviteti i dyshuar ishte ndërprerë dhe ambientet ishin boshatisur.

Sipas investigimit italian, në këtë rrjet dyshohet se është përfshirë edhe një punonjës policie në Itali, i cili rekrutonte të rinj italianë dhe i dërgonte për të punuar si operatorë në call centerat mashtruese në Tiranë dhe në disa shtete të tjera.

Skema mashtruese konsistonte në telefonata ku qytetarëve u ofrohej një investim fillestar prej 250 eurosh, me premtime për fitime të shpejta dhe të lehta. Përmes platformave dixhitale që simulonin investime financiare, viktimat bindeshin të depozitonin para në skema që në realitet nuk ekzistonin.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë arrestime dhe masa të tjera penale në ditët në vijim./L.F-dritare.net