A janë shqiptarët autoktonë në këto troje? Çfarë thotë historiania e gjuhës Mimoza Kore!
Dritare.net
Historiania e gjuhës Mimoza Kore e ftuar në ciklin “Fol shqip” të emisionit Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv foli për autoktoninë e shqiptarëve në trojet ku jetojnë sot, si dhe për historinë e emrit shqiptar. Gjuhëtarja rendit tezat e ndryshme të studiuesve të huaj për autoktoninë e shqiptarëve. Profesoresha thotë se teza që njeh shkenca ështe që shqiptarët janë autoktonë në këto troje, fqinjë të grekëve të lashtë, pasardhës të ilirëve dhe nënshtetas të Romës së vjetër.
“Çështja e autoktonisë së shqiptarëve është një temë që ka ngjallur debat si për studiuesit shqiptarë, ashtu edhe për ata të huaj. A jemi ne autoktonë në këto troje, apo jemi të ardhur? Këtu ndahen tezat shkencore nga ato me qëllime nacionaliste për të errësuar të shkuarën e shqiptarëve. Të gjitha ato argumente që tha profesori Seit Mansaku që shqiptarët e kanë prejardhjen nga ilirët qëndrojnë edhe për tezën e autoktonisë. Pra nëse vijmë nga ilirët jemi edhe autoktonë. Nëse nuk vijmë prej tyre, por nga një fis trakas që ka qenë më në lindje, atëherë bie teza e autoktonisë dhe ne kemi ardhur diku nga lindja e Ballkanit. Gjithë vështirësia qëndron në faktin që ne nuk kemi dokumentacion apo tekste të shkruara nga ilirishtja. Kur je përballë shkencëtarëve pyetja që bëjnë është: Si e vërteton ti që shqipja vjen nga ilirishtja? Pa dyshim që këtu hyjnë makrotoponimet, mikrotoponimet, hidronimet, emrat e ujërave, të vendeve, të cilat janë gjetur në mbishkrime greke e latine dhe gjuhëtarët kanë parë si kanë evoluar sipas rregullave fonetike të gjuhës shqipe. Pa fonetikën historike nuk i sqaron dot. Ky është një problem multidisiplinar, nuk e zgjidh dot vetëm gjuhësia, vetëm një shkencë. Sepse autoktonia duhet të sqarohet në rrafshin historik, por në hierarkinë e të gjitha dëshmive gjuhësia zë vendin e parë. A jemi autoktonë vërtetohet pikërisht me fakte gjuhësore. Ato fakte që shërbenin për ilirishten janë në dispozicion edhe për tezën e autoktonisë. Vetë fjalë autoktoni vjen nga greqishtja (auto-vetë dhe ktonos-vend). Por duhet kuptuar si një koncept relativ. Pra për asnjë popull nuk mund të flitet për autoktoni absolute. Kjo do të thotë që asnjë popull nuk jeton sot në ato troje ku është që në kohët e mugëta të historisë, ose që kur është krijuar bota. Popujt kanë lëvizur për shkak të ushqimit, luftërave, zjarrit, të problemeve të shumta që kanë ndodhur në lashtësi, antikitet. Por të paktën një popull quhet autokton në trojet e tij që nga periudha greko-romake, që nga mijëvjeçari i dytë para erës sonë. Këtu përqendrohet edhe gjuhësia. A jemi autoktonë ne në këto troje që në këtë periudhë, apo jo? Tezat janë të ndryshme. Një nga tezat që ne e zhvillojmë edhe me studentët është ajo e Norbert Joklit. Jokli ka qenë një gjuhëtar i shkëlqyer, profesor i profesor Çabejt që e ka dashur shqipen shumë. E pranon tezën ilire, por për sa i përket autoktonisë thotë që djepi i hershëm i shqiptarëve ka qenë Dardania, Kosova e sotme dhe një pjesë e Maqedonisë së Veriut. Ai mendonte që në Dardani takoheshin fiset ilire, me fiset trakase, prandaj shqipja ka shumë bashkëpërkime sot me rumanishten. Aty ndikimi grek është më i vogël, prandaj huazimet nga greqishtja e vjetër në gjuhën shqipe janë të pakta. Po të ishin fqinjë duhet të kishte më shumë fjalë nga greqishtja e vjetër që në periudhën e antikitetit. Dardania është një zonë që u prek nga romanizimi prandaj edhe të parët tanë u romanizuan. Në fakt vetë Jokli iu rikthye kësaj teze dhe e përmirësoi. Futi edhe pjesën e bregdetit shqiptar si një njësi të trojeve shqiptare (pra trevat që jemi sot) dhe jo vetëm Dardaninë. U quajt teza e autoktonisë së pjesshme. Profesor Çabej edhe pse e kishte idhull Joklin përsëri i bëri kritikat e tij duke thënë që kjo është një zonë shumë e ngushtë dhe nuk mund të jenë shtrirë shqiptarët vetëm në ato troje. Mbas Nober Joklit del një tjetër studiues gjerman Georg Stadmuller, i cili mendonte që djepi i hershëm i shqiptarëve ka qenë krahina e Matit, meqë është një krahinë mes maleve dhe ka pasur disa huazime sllave dhe sipas tij aty jetuan të parët e shqiptarëve dhe kur u erdhi ora e historisë dolën nga andej, edhe në formën e barinjve shtegtarë mbushën bregdetin. Kjo është një tezë jashtëzakonisht e gabuar dhe me pak prapavijë. Teza e tij u quajt "Teza e shpërthimit të bombës demografike". Tezave të Joklit dhe Stadmuller, profesor Eqerem Çabej u ka bërë një kritikë të gjerë, si nga ana metodike dhe shkencore, që nuk qëndrojnë. Mati është një territor shumë i ngushtë për të mbajtur një popullsi të tërë. Teza që njeh shkenca për autoktoninë e shqiptarëve është që ne jemi autoktonë në këto troje. Fqinjë të grekëve të lashtë, pasardhës të ilirëve dhe nënshtetas të Romës së vjetër.”, tha gjuhëtarja Mimoza Kore në DritareTV./K.C/dritare.net