Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

15 vite nga protesta e 21 janarit!

15 vite nga protesta e 21 janarit!

Sot bëhen 15 vite nga ngjarjet e 21 janarit 2011, kur gjatë një proteste të zhvilluar para Kryeministrisë në Tiranë humbën jetën katër protestues. Ngjarja ndodhi gjatë një tubimi të organizuar nga opozita e asaj kohe dhe u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe forcave të sigurisë.

Pas ngjarjes, u hapën hetime nga autoritetet shqiptare, ndërsa çështja u trajtua edhe në instanca ndërkombëtare. Më 14 nëntor 2023, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut konstatoi shkelje nga shteti shqiptar dhe kërkoi një hetim të plotë, efektiv dhe të pavarur për vrasjen e Aleks Nikës dhe tre protestuesve të tjerë.

Në zbatim të këtij vendimi, më 15 korrik 2024 u regjistrua një procedim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Hetimet përfshijnë administrimin e provave të reja dhe rishqyrtimin e veprimeve të institucioneve gjatë dhe pas ngjarjes.

Një nga provat e administruara është një regjistrim audio rreth 34 minuta, i dorëzuar nga familja e Aleks Nikës, që përmban komunikime radio të zinxhirit komandues të Gardës së Republikës gjatë protestës. Për shkak të mungesës së kapaciteteve teknike në vend, materiali është dërguar për ekspertizë në laboratorë jashtë Shqipërisë. Po ashtu, për ekspertim jashtë vendit është dërguar edhe plumbi që i mori jetën Aleks Nikës.

SPAK ka marrë në pyetje një sërë ish-zyrtarësh të lartë që ishin në detyrë në kohën e ngjarjes, përfshirë ish-presidentë, ish-ministra, ish-drejtues të institucioneve të rendit dhe ish-kryeministrin e asaj kohe. Janë pyetur gjithashtu organizatorë të protestës dhe zyrtarë të tjerë.

Ngjarja e 21 janarit 2011 mbetet një nga episodet më të rënda të tranzicionit shqiptar dhe vijon të jetë objekt hetimi dhe vlerësimi nga drejtësia shqiptare./dritare.net