
Tërmet në administratën vendore/ Të gjithë drejtorët e Bashkisë Durrës japin dorëheqjen!
Dritare.net
Të gjithë drejtorët e varur nga Bashkia e Durrësit kanë dhënë dorëheqjen, pas një kërkese të drejtpërdrejtë nga kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me tone të ashpra të zhvilluar dy ditë më parë.
Dorëheqjet janë dorëzuar brenda ditës së djeshme, pas një kërkese nga kryetarja e bashkisë Emiriana Sako, e cila ua ka përcjellë mesazhin e prerë të kryeministrit. Pas dorëheqjes, të gjithë drejtorët janë vendosur në dispozicion të një komisioni vlerësimi që do të analizojë performancën e tyre në drejtim.
Nga vala e dorëheqjeve janë përjashtuar drejtori i spitalit të Durrësit, i emëruar rishtas në muajin qershor, si dhe drejtori i policisë së qarkut, që nuk është pjesë e varësisë së pushtetit vendor.
Komisioni i vlerësimit do të drejtohet nga kryebashkiakja Emiriana Sako dhe do të përfshijë gjithashtu dy deputetet e Partisë Socialiste që kryesojnë listën fituese në qarkun e Durrësit: Klodiana Spahiu dhe Milva Ekonomi. Sipas burimeve, procesi i vlerësimit dhe zëvendësimeve pritet të përfundojë brenda këtij muaji.
Pas Vlorës, ku u shkarkuan 21 drejtues dhe iu dha ultimatum bizneseve për lirimin e hapësirave publike, Rama e zhvendosi aksionin e tij në Fier dhe Durrës. Në takimin me drejtues rajonalë dhe deputetë të qarqeve, ai lëshoi akuza të drejtpërdrejta për zaptimin e hapësirave publike, mungesën e pastërtisë në qytete dhe mospërfilljen ndaj qytetarëve.
“Ata na kanë vlerësuar me votë. Ky besim duhet përkthyer në respekt ndaj tyre”, mësohet të ketë deklaruar Rama gjatë takimit me strukturat drejtuese të Fierit, që në zgjedhjet e 11 majit i dhanë Partisë Socialiste 12 mandate.
Ndryshimet në administratë u paralajmëruan nga vetë kryeministri gjatë rrugës për në Fier, ku theksoi nevojën për energji të reja dhe qasje më efikase ndaj sfidave urbane.
Me këto lëvizje, kryeministri Rama duket se ka nisur një aksion të gjerë për reformimin e administratës vendore, me fokus te performanca, efikasiteti dhe përgjegjshmëria ndaj qytetarëve. Durrësi është qyteti i radhës në këtë fushatë për “pastrimin” e institucioneve nga drejtuesit që nuk kanë përmbushur pritshmëritë./K.C/ dritare.net

















