
Sulm i përgjakshëm në Manhatan: Katër të vrarë, përfshirë një oficer policie
Dritare.net
Një sulm tragjik me armë ndodhi mbrëmjen e së hënës në zemër të Manhattanit, ku katër persona humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë, pasi një person i armatosur hapi zjarr përpara se të vetëvritej.
Autori, Shane Tamura, 27 vjeç nga Las Vegas, hyri në ndërtesën e mbushur me zyra të korporatave si NFL, Blackstone dhe KPMG rreth orës 18:30 me një armë dhe nisi të qëllonte në hollin kryesor. Më pas, ai mori ashensorin për në katin e 33-të, ku vazhdoi masakrën përpara se të vetëvritej.
Mes viktimave ishte edhe oficeri i Policisë së New York-ut, Didarul Islam, 36 vjeç, një emigrant nga Bangladeshi dhe baba i dy fëmijëve, në pritje të fëmijës së tretë. Ai ishte duke punuar si roje sigurie kur u qëllua nga Tamura menjëherë sapo ky i fundit hyri në ndërtesë. Komisionerja e Policisë së NYPD, Jessica Tisch, e përshkroi Islamin si një "hero", duke thënë se “ai bëri sakrificën më të madhe në shërbim të qytetit”.
Pas vrasjes së Islamit, autori qëlloi ndaj një gruaje që ishte fshehur pas një shtylle, më pas vazhdoi të qëllonte në mënyrë të pakontrolluar në holl, duke plagosur të tjerë, përfshirë një roje sigurie dhe një burrë tjetër. Para se të hipte në ashensor, ai pa një grua që po zbriste, por e la të kalonte pa e lënduar — një moment i çuditshëm në mes të një akti brutal.
Në katin e 33-të, Tamura vrau një person tjetër dhe pastaj, duke ecur përgjatë korridorit, i dha fund jetës së tij me një plumb në gjoks. Brenda makinës së tij, që ishte parkuar para ndërtesës, policia gjeti municion të shumtë.
Zyrtarët konfirmuan se një person tjetër ndodhet në gjendje kritike por stabile në spital. Policia është ende duke hetuar motivin e sulmit, por konfirmuan se Tamura kishte histori të problemeve të shëndetit mendor dhe besohet se ka vepruar i vetëm.
Sulmi shkaktoi panik të madh në Midtown Manhattan, duke ndërprerë transportin publik dhe duke detyruar njerëzit të strehohen në ndërtesat përreth. Policia ndërhyri me forca të shumta dhe pastrimi i kat për kat i ndërtesës zgjati me orë të tëra.
Dëshmitarë në vendngjarje, përfshirë punonjës të kafenesë “Sip & Scoop”, panë dhjetëra njerëz të evakuoheshin me duart lart dhe në gjendje shoku. "I njoh shumë prej tyre si klientë të rregullt. Është tronditëse. Shpresoj që të kthehen të gjithë të sigurt në shtëpi," tha punonjësja Mama Bouhenni për BBC.
Incidenti ka ngritur sërish pikëpyetje të forta për çështjen e armëmbajtjes dhe shëndetit mendor në SHBA, veçanërisht për pasojat që sjell mungesa e kontrollit efektiv në rastet me histori të njohur psikiatrike.
Hetimet po vazhdojnë. Autoritetet pritet të publikojnë emrat e viktimave të tjera gjatë ditëve në vijim./L.F-dritare/net

















